Greqi/ Ndahet nga jeta peshkatari arvanitas që shpëtoi 70 persona nga flakët

Në Greqi lajmi për vdekjen e Kostas Arvanitisit, peshkatar me origjinë shqiptare, i cili vitin e shkuar shpëtonte 70 persona në një ishull grek që u përfshi nga zjarri ka sjellë trishtim.

Qeveria greke deklaroi se do të paguajë shpenzimet për funeralin e tij. Kryeministri i ri grek, Kyriakos Mitsotakis bëri me dije lajmin, i cili u përhap gjerësisht në mediat greke, të cilat kanë risjellë në vëmendje gjestin tij.

Shqiptari punonte si peshkatar dhe falë varkës së tij, arriti të shpëtonte dhjetëra persona nga ferri i flakëve që përfshinë ishullin 23 korrikun e vitit të shkuar.

Ditën e zjarrit vdekjeprurës në Mati, Arvanitis mori varkën e tij, bashkë me gruan, djalin dhe ndihmësin e tij, një peshkatar egjiptian dhe shpëtoi 70 njerëz. Po atë ditë, ai kishte ditëlindjen.

Për veprimin tij, ai mori vlerësim nga qeveria greke, ndërsa peshkatarit egjiptian Mahmoud Mesafer, iu dha nënshtetësia greke.