Flash News

KRYESORE

Greqia kërkon të kthehet qendër e aleancave në Ballkan, Kosovën e mban jashtë çdo takimi

Me rimëkëmbjen ekonomike, Greqia po përpiqet me shpejtësi që të fitojë terrenin e humbur në Ballkan pas krizës fatale të 2008-ës. Diplomacia greke po tregohet shumë aktive kohët e fundit duke organizuar takime dhe aleanca që e tentojnë t’a vendosin atë në qendër të zhvillimeve në rajon.

Më 5 dhe 6 shtator, ministrat e Jashtëm të Greqisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë do të takohen në Selanik për të diskutuar çështje që kanë rëndësi për të katër shtetet. Një takim i tillë është mbajtur edhe vitin e kaluar, ndërkohë që Athina, e cila është organizatorja, është fokusuar vetëm te tre fqinjët e veriut dhe nuk e ka zgjeruar rrethin e pjesëmarrësve me vende të tjera si Kosova apo Mali i Zi.

Por kjo nuk është iniciativa e vetme greke që kërkon të rrisë ndikimin në Ballkan, ndërsa Republikën e Kosovës e mban jashtë çdo aktiviteti, raporton Politiko.al.

Ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias ka njoftuar për një takim të vendeve anëtare të BE-së në Europën Juglindore. Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Kroacia do përpiqen të krijojnë një aleancë të ngjashme me atë të grupit të Vishegradit (Poloni, Çeki, Sllovaki dhe Hungari). Drejtuesit e këtyre katër vendeve do të ndërmarrin së shpejti një tur vizitash në disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor për të dhënë mbështetje dhe për të inkurajuar avancimin e tyre drejt Bashkimit Europian. Kotzias ka thënë se takimet do të zhvillohen në Bosnje-Herceoginë, Serbi dhe Mal të Zi, duke lënë jashtë fokusit Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë, gjithashtu vende kandidate për anëtare të BE-së (jo Kosova).

Aleancat e Greqisë nuk janë përqëndruar vetëm në sferën e diplomacisë, por edhe në atë ushtarake. Qeveria serbe ka njoftuar së fundmi se i është bashkuar aleancës ushtarake të drejtuar nga Greqia dhe ku marrin pjesë Qipro, Bullgaria, Rumania dhe Ukraina.

Në të gjitha këto takime vihet re një shmangie e Kosovës nga Greqia, e cila edhe pse nuk e ka njohur republikën e re në Ballkan, është përpjekur të tregojë se i jep mbështetje për rrugën e saj në proceset integruese euro-atlantike. Megjithatë, këto lëvizje diplomatike të Athinës tregojnë të kundërtën. Nuk ka asnjë takim të nivelit të lartë në Evropën Juglindore ku Greqia dhe Kosova të jenë pjesëmarrëse të barabarta, përfshirë ‘SEECP’, ku Prishtina detyrohet të marrë pjesë me fusnotë.

‘Bushati 2’ ndryshon tërësisht stafin në Ministrinë e Jashtme, Pirro Vëngun e dërgon te AntiKorrupsioni në Kryeministri

Të fundit