Flash News

KRYESORE

Greqia pranon vendimin për pasaportat e skaduara, emigrantëve shqiptarë do tu rinovohet leja e qëndrimit

Greqia pranon vendimin për pasaportat e skaduara, emigrantëve

Rinovimi i pasaportave është kthyer në një "makth", pas fluksit të lartë në konsullatat e Athinës e Selanikut, shkaktuar si nga numri i madh i aplikantëve, ashtu dhe nga karantinimi thuajse dy-mujorë në vend.

Qeveria greke ka pranuar vendimin për rinovimin e lejeve të qëndrimit dhe çdo procedure legalizimi dokumentash në Greqi për emigrantët shqiptarë, që do të kryhen me pasaportat e skaduara, deri në 31 dhjetor 2020.

Pas kërkesës së komunitetit shqiptar, ministria e Brendshme e Greqisë ka dhënë përgjigjen pozitive, përmes ndërmjetësit ndërkulturor në Administratën e Decentralizuar të Athinës.

Zyrat për shërbimin e emigrantëve udhëzohen të zhvillojnë normalisht procesin e legalizimit, të rinovimit të lejeve të qëndrimit apo pajisjes me vërtetimet e aplikimit, duke pranuar si dokument i vlefshëm udhëtimi pasaportat që skadojnë brenda vitit 2020.

Në vendim përfshihen shtetasit shqiptarë që janë pajisur me leje qëndrimi sipas dispozitave të ligjit 4251/2014.

Vendimi është një lehtësim shtesë për emigrantët shqiptarë në Greqi, pas shtyrjes së afatit të lejeve të qëndrimit dhe vërtetimeve të rinovimit, gjithashtu deri në fund të vitit.

Ndërkohë që vendimi i shtetit shqiptar për shtyrje të pasaportave biometrike deri në fund të 2020 nuk është adoptuar akoma në organet e tjera institucionale të Greqisë, duke penguar kryerjen e procedurave të tjera rutinë, si tatimore, transaksione bankare, madje edhe ato edukative e shkollore, për të rinjtë.

Në këtë aspekt, komuniteti shqiptar në Greqi është në pritje të një reagimi zyrtar unanim përkundrejt vendimit të qeverisë shqiptare, për shtyrjen e afatit të skadimit të pasaportave, deri në 31 dhjetor 2020.

Të fundit