Greqia shton rojet kufitare, do kthehen ata që nuk kanë të drejtë azili

Greqia ka vendosur që të përforcojë masat në kufi, për të mos lejuar që më shumë emigrantë të futen në territorin grek. Kështu në kufi do të vendosen më shumë roje, të cilët do të ndalojnë të gjithë personat pa dokumente.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi se ka miratuar punësimin e 400 rojeve në kufirin tokësor të Greqisë me Turqinë dhe të 800 rojeve të tjera në ishuj. Gjithashtu ai informoi se Greqia do të rrisë edhe operacionet e patrullimit në det.

Të mërkurën, qeveria konservatore greke i bëri publike planet për mbylljen e kampeve të mbipopulluara të refugjatëve në ishuj dhe për zëvendësimin e tyre me qendra më të kufizuara të strehimit.

“Të mirëseardhur në Greqi janë vetëm ata që ne i zgjedhim. Ata që nuk janë të mirëseardhur do të kthehen. Do t’ua mbyllim përgjithmonë derën trafikantëve të paligjshëm të njerëzve dhe atyre që duan të hynë, edhe pse nuk kanë të drejtë azili”, tha Mitsotakis.

Që nga viti 2005 në Greqi janë futur më shuam se dy milion emigrantë, të cilët kanë pasur për synim të shkojnë në shtetet e Evropës Perëndimore.