Grupi i Vishegradit: Të dëshpëruar, BE i dërgoi mesazh negativ Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Grupi i Vishegradit (V4) ndihet i dëshpëruara që Bashkimi Evropian nuk i hapi negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kryeministrat e Polonisë, Mateush Moravjecki, të Çekisë, Andrej Babish, të Sllovakisë, Peter Pelegrini dhe të Hungarisë, Viktor Orban gjatë takimit në samitin e Pragës shprehën shqetësimin se në Ballkanin Perëndimor është dërguar një sinjal negativ.

Madje kjo mund të ndikojë edhe në dy shtetet e tjera, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat kanë hapur negociatat, por reformat te këto vende mund të ngecin.

“Të gjithë jemi të dëshpëruar. Por, nëse nuk i filluam negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është me rëndësi që t’i përshpejtojmë negociatat me vendet me të cilat tashmë i kemi filluar negociatat. Këtë vendim mund ta kompensojmë ose zbusim, duke bërë të mundur që negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi t’i përshpejtojmë. Të mos ketë probleme me zgjerimin e mëtejshëm”, deklaroi kryeministri hungarez Viktor Orban në konferencën për shtyp.

Kryeministri sllovak Peter Pelegrini, njësoj si edhe Orbani dhe kolegu i tij çek Andrej Babish, shprehu trishtimin që Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nuk iu dha fare mundësia që të fillojnë negociatat.

“Tre vendet e vjetra anëtare të BE-së, të cilat luftuan kundër zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, i kanë dëmtuar qytetarët e rajonit.

Seriozisht pyes veten nëse qytetarët e atyre vendeve e kanë më vullnetin që t’i zbatojnë reformat që nevojiten për të hyrë në BE. Ndoshta në fund do ta shohin perspektivën në bashkëpunim me Rusinë, Turqinë, Kinën ose me vendet arabe. Ai ishte gabim i madh thelbësor, sepse mendoj se zgjerimi është investim për BE-në. Ai është investim i mirë. Jo vetëm ekonomik, por edhe i sigurisë”, deklaroi Pelegrini.

Kryeministri sllovak paralajmëroi se një qasje e tillë ndaj Ballkanit Perëndimor mund të shkaktojë një krizë të re emigracioni.

“Unë jam shumë kureshtar të di se çfarë qëndrimi do të marrin shtetet ballkanike nëse u kërkojmë përsëri që ta mbyllim rrugën ballkanike. Ata bënë punë të mirë dhe ishin shumë bashkëpunues, sepse i ndihmojnë miqtë e tyre të ardhshëm. Të shohim se çfarë do të bëjnë tani. Edhe mund të përgjigjen që ne të kujdesemi vetë për kufirin tonë të jashtëm, anëtare të respektuara të BE-së, kur ju silleni kështu me ne”, paralajmëroi Pelegrini.