Guardiola fiton me zero mbrojtës në fushë, sytë nga… United

Manchester City sot fitoi 2-0 ndaj Crystal Palace me një formacion krejt të pazakontë, me asnjë qendërmbrojtës. Guardiola provoi sistemin 3-1-4-2 me dy mbrojtës krahu dhe një mesfushor në treshen e vijës mbrojtëse. Ia doli, sepse rezultati flet për të.

Kjo ishte fitorja e reagimit pas humbjes në shtëpi dy javë më parë kundër Wolves. “Qytetarët” fituan falë golave të shënuar nga Gabriel Jesus dhe David Silva në harkun e dy minutave.  Braziliani gjeti rrjetën në minutën e 39-të, teksa dy minuta më pas Silva ktheu në art asistin e mrekullueshëm nga Sterling.

City tashmë pozicionohet në vendin e dytë me 19 pikë, 5 më pak se Liverpool kryesues. Nëse skuadra e kuqe nesër mposhtet nga Man. United, Guardiola do të gëzohet tejmase, sepse gara për titull do të bëhej edhe më emocionuese, me 2 pikë diferencë.