Hahn dhe Mogherini vetëm dy paragrafë për marrëveshjen PS-PD

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, kanë reaguar për marrëveshjen politike të arritur mes dy partive kryesore në Shqipëri.

Në vetëm dy paragrafë, Hahn dhe Mogherini përshëndesin marrëveshjen dhe vënë theksin te miratimi i komisioneve të vettingut që do i hapë rrugë zbatimit të reformës në drejtësi.

“Përshëndesim partitë politike në Shqipëri për arritjen e marrëveshjes, e cila do çojë në zhvillimin e zgjedhjeve të 25 qershorit me pjesëmarrjen e të gjitha partive. Politikanët i janë përgjigjur pritshmërisë së qytetarëve të tyre dhe kanë shfaqur maturi demokratike.

Ky është një hap i parë i rëndësishëm. Tani, kjo marrëveëshje duhet të zbatohet me shpejtësi për të përgatitur zgjedhjet në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Duke qenë se vota e Kuvendit për themelimin e organeve të vettingut është pjesë e marrëveshjes, ne e përsërisim rëndësinë e zbatimit solid dhe të besueshëm të procesit të vettingut, që është kyç në progresin drejt anëtarësimin në BE. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë dhe aspiratat legjitime të popullit të saj për një të ardhme më të mirë”, thuhet në reagimin e përbashkët të Mogherinit dhe Hahn.

Vetëm një javë më parë Hahn iu drejtua me një letër të gjatë shqiptarëve ku paralajmëronte për masa të rrepta kundër atyre që do të pengonin rrugën europiane të Shqipërisë.