“Hapja e negociatave, jo dhuratë”. Zgjerohet lista e shteteve skeptike për Shqipërinë

Finlanda, shteti që do të kryesojë presidencën 6 mujore të Bashkimit Europian mbështet parimisht hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Tetor. Kryeministri Antti Rinne, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve në Strasburg, pas një mbledhje të Parlamentit Europian deklaroi se shpreson që dy vendet të plotësojnë ‘detyrat e shtepise’ në 2 muajt e mbetur.

“Në çështjen e hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ne do të diskutojmë sërish në tetor. Unë shpresoj që në rast se këto dy shtete plotësojnë kushtet ne mund të marrim vendimin që të nisin negociatat si me Maqedoninë e Veriut ashtu dhe Shqipërinë. Gjithsesi për këtë vendimarrje na duhet mbështetja e shteteve të mëdha të BE-së”, sqaroi ai.

Qëndrim më transparent sa i takon hapjes së negociatave pati ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, që 5 ditë më parë u shpreh se Finlanda mbështet hapjen e negociatave për dy vendet për shkak të rrijes së influencës së Rusisë dhe Kinës në rajon.

“Ballkani nuk eshte rajon fqinj, ata janë në zemër të Europës. Bashkimi Europian duhet të angazhohet për integrimin e ketyre shteteve sepse Rusia dhe Kina po tregojnë interest të madh për rajonin. Ne mbështesim hapjen e negociatave për të dy vendet”, deklaroi ai, duke shtuar se presin që Tirana dhe Shkupi të luftojnë krimin dhe respektojnë lirinë e shprehjes.

Zgjerimi i BE-së nuk është prioritet i presidencës gjashtë mujore të Finlandës, të paktën këtë la të kuptohet kryeministri Antti Rinne në sallën e parlamentit europian.