Flash News

OP-ED

Hapje e negociatave me standarde apo për stabilitet?!

Hapje e negociatave me standarde apo për stabilitet?!

Stiliano Rushaj

Ethet e negociatave kanë vënë në lëvizje të plotë qeverinë, tashmë prej marrjes së një rekomandimi pozitiv nga Komisioni Europian. Duke përdorur burimet diplomatike, në vizita të njëpasnjëshme lart e poshtë Europës, kryeministri Rama kërkon të bindë vendet antare se koha e Shqipërisë ka ardhur dhe se një refuzim për “martesë”, hipotetikisht do t’i hapte rrugën ekstremizmit islamik apo influencimit të fuqive të tjera jo aleate si Rusia. Një argument thellësisht gjeostrategjik, shpesh i përdorur në diskurin politik shqiptar, kryesisht për ndikim të jashtëm.

Nëse do të pranonim këtë argument, pra Bashkimi Europian përballë presioneve/kërcënimeve të jashtme që vijnë nga destabilizimi i rajonit të Lindjes së Mesme dhe pjesërisht Afrikës Veriore; influencës permanente ruse dhe paqëndrueshmërisë së Turqisë me politikat e BE, kjo do të mund të mbështeste arsyetimin se një qasje që favorizon përshpejtimin e integrimit për hir të stabilitetit me vendet e Ballkanit Perëndimor do të zbusë risqet dhe valën destabilizuese në kufijtë e vetë BE.

Në të vërtetë kjo nuk është një qasje e panjohur e BE, duke patur parasysh se kufijtë e jashtëm të saj përballen me rajone të mbushura me sfida si Mesdheu Jugor dhe Lindja e Mesme. Përgjatë viteve ‘90 dhe 2000, BE zbatoi një qasje të përbashkët për këtë rajon duke pranuar se arritja e standardeve Europiane (pavarësisht se nuk i premtohej integrim në BE) mund të ishte e suksesshme vetëm nëse ishte arritur stabilitet më parë. Kjo në fakt rezultoi me ngadalësimin e vetë procesit të demokratizimit të këtyre vendeve dhe me rritjen e modelit keqqeverisës dhe autoritarist, nga ku përfundimet do të ishin tragjike, që prej vitit 2011.

Ndryshe nga kufijtë e tjerë të jashtëm të BE, vendet e Ballkanit Perëndimor janë më të favorizuarit ndaj politikës së jashtme të BE, pasi në fund të këtij procesi [integrimit] ato do të jenë përkrah shteteve të tjera të lira europiane. Ky proces ka marrë një shtysë të konsiderueshme prej nismës së ashtuquajtur procesi i Berlinit në 2014, ku suksesi i integrimit vlerësohet nga performanca e secilit shtet, pra aftësia e tyre për të patur përputhshmëri me normat dhe standardet e BE. Pra, nëse Shqipëria do të marrë një miratim të hapjes së negociatave duhet t’i bindë realisht vendet e Unionit se ajo tashmë i ka plotësuar standardet.

Për të kuptuar nëse qeveria shqiptare arrin t’i bindë vendet antare, jo vetëm me argumentin ndaj stabilitetit, por edhe me arritjen e standardeve në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe rrjeteve të drogës, progres-raporti i Komisionit Europian mbetet ndër burimet kryesore për të kuptuar këtë dinamikë vendimarrëse.

Së pari duke kujtuar 5 prioritete kyçe që i ishin kërkuar Shqipërisë për t’i përmbushur, sipas raportit të (2018), dhe atij të dy viteve të mëparshme, Komisioni ka një vlerësim të pandryshueshëm për këtë periudhë kohore, ku vazhdon të theksojë fjalën kyçe “progres të moderuar ose një nivel përgatitje”. Nga 5 prioritet, raporti vlerëson në mënyrë argumentuese progres të dukshëm vetëm ndaj forcimit të mbrotjes së të drejtave të minoriteteve dhe pjesërisht ndaj reformës administrative.

Së dyti, për herë të parë raporti (2018) thekson se sipas Agjensisë Europiane të Monitorimit të drogave dhe substancave të tjera të varësisë (EMCDDA), Shqipëria është vendi kryesor për prodhimin dhe trafikimin e kanabisit drejt BE. Gjithashtu si pikë tranziti në rritje për drogat e forta si heroina dhe kokaina, raporti vë në dukje se në vetëm dy muajt e parë të vitit 2018 janë kapur 17.5 kg heroinë ose 80% e sasisë së përgjithshme të kapur për gjithë vitin 2017, ndërsa sasia e kokainës është rritur nga viti i mëparshëm prej së paku 1660%.

Ngurrimi dhe pasiguria e vendeve europiane vis a vis angazhimit të qeverisë shqiptare për të arritur përputhshmëri ndaj standardeve europiane, është shtuar ndjeshëm nga qëndrimet e palëve gjermane, holandeze dhe pjesërisht franceze. Në deklaratat e tyre, figura kyçe të politikës europiane si Gunther Krichbaum, etj., e vendosin theksin në mungesën e instrumenteve dhe përparimit të prekshme për t’u bindur se Shqipëria ka angazhimin për të përmirësuar çështje që kanë ndjeshmëri të lartë për BE: emigracioni shqiptar, krimi i organizuar dhe standardet për zgjedhje demokratike.

Në këtë kontekst duke parë zhvillimet e brendshme të Unionit ku në veçanti zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Parlamentin Europian dominojnë axhendën e vendeve antare, përshpejtimi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor për hir të stabilitetit mbetet një qasje jo fort e përkrahur. Përkundrazi, për europianët çështjet e sigurisë dhe ato mbi emigracionin përbëjnë thelbin e axhendës europiane. Gjithashtu dukshëm është dhe rikthimi ndaj vlerave përbashkuese të shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.

Ndaj për Shqipërinë, përshpejtimi i procesit të integrimit mund të arrihet vetëm nëpërmjet angazhimit të një qeverie të përkushtuar për të bërë ndryshim. Nevojitet përputhshmëri e plotë ndaj standardeve europiane në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe një gjyqësori të drejtë. Mbi të gjitha për një Shqipëri të jetueshme për qytetarët e saj.

Të fundit