Flash News

KRYESORE

Henri Çili, mirë se erdhe te linja ime editoriale!

Henri Çili, mirë se erdhe te linja ime editoriale!

Alfred Lela

Kanë kaluar një vit e tre muaj nga largimi im si drejtor i Medias MAPO. Kjo 'lëvizje' që rastisi në kohë me 'aneksimin' e Armand Shkullakut si drejtor i ABC News, shkaktoi zhurmën e vet të ligjshme mediatike. Kushti i botuesit për mua pat qenë i qartë: mbrojtje pa rezerva për Ramën, deri te artikulimi, jo vetëm në gazetë, por edhe nëpër studiot televizive, i sloganit 'Rama, reformator i madh'.

Siç ia kam përsëritur Çilit, edhe publikisht, as unë dhe as ai nuk mund të dilnim, pas tre vjetësh, dhe të quanim reformator Ramën, pasi e kishim përdorur këtë etiketë për Berishën. Edhe nëse nuk i tuteshim 'pafytyrësisë ideologjike', duhet t'i shmangeshim 'rrengut logjik'. Shqipëria nuk është nga ato vende që prodhon reformatorë të mëdhenj, dhe aq më pak dy të tillë në katër vjet.

Berisha ka ikur, Basha nuk është gati, Rama është në pushtet...Kështu vazhdoi refreni i Henrit që, në fund, u përball me një shpinë që u kthye. Kanë kaluar 15 muaj intensivë që atëherë, dhe lumi i akullt i linjës editoriale rrodhi ndërmjet brigjeve tona, si moskuptim dhe karshillëk bashkë. Me vete secili priste triumfin e tezës së tij.

Çili e fitoi betejën, por humbi luftën.

Rama i 'fshiu' zgjedhjet duke realizuar edhe plebishitin e heqjes së 'ferrës' LSI nga këmbët. Gjithë pompë u fut në Tiranë Kryeministri i rikurorëzuar, duartrokitur edhe nga mbështetësit e tij mediatikë, Çili i mirë me shumë shokë. 

MAPO, e botuar prej tij, vazhdoi e palëkundur mbështetjen për qeverinë, duke mos harruar as diversionet ndaj opozitës, nëpërmjet tezash që janë të Çilit, por shkruhen nga dytësat e tij në gazetë, djem apo burra, që nuk mund të konsiderohen budallenj, por që njohjen e politikës së Tiranës e kanë laboratorike. Kjo (mos)njohje, gërshetuar me tezat e Çilit, të cilat duke qenë se synojnë më shumë të jenë shpore intelektuale se sa argumente editorialesh, prodhojnë atë që shohim përditë në faqet Op Ed të MAPO, një shtërzim mes intelektualizmit të kullës uetase, pragmatizmit tregtar dhe ngutit provokues.

Me sa kemi parë dy-tri javët e fundit, 'çështja Tahiri' duket se ka qenë mbrojtja e fundit që Edi Rama ka marrë nga skuadroni i MAPO. Krejt ndryshe nga çfarë bëri gazeta për disa muaj varg, në editorialin e numrit të së shtunës, E. Iljazaj, i njëjti që thërriste 'pafajësi' më parë, dje artikulonte se 'çështja Tahiri' është prova se Prokuroria nuk po vepron politikisht në arrestimet e fundit. Kuptimi i qartë: pa një Tahir të dënuar, prangat për opozitarët e dyshuar për korrupsion përbënin përndjekje politike.

Kjo është teza e rigjetur e MAPO, marrë nga ata pak vetë në median e shkruar, median e re (portale) dhe panelet televizive, që nuk i janë bashkuar korit që i këndon 'Te deumin' qeverisë nga mëngjesi në mbrëmje. Një javë para kësaj, gazeta shfaqej e ngrohtë me Bashën dhe opozitën.

Kjo nuk do të thotë se mbërritja me vonesë te e vërteta është në kundrakohë. Siç nuk është i mirëpritur çdokush që i bashkohet qëndrestarëve të paktë të anti-qeveritarizmit.

Çka është më e rëndësishme, kthesa e Çilit, e lexuar qartë në numrat e fundit të MAPO, jep një shenjë tjetër pozitive. Mbështetësit më të zëshëm të Kryeministrit e kanë humbur besimin te politikat e tij 'reformatore' dhe po e braktisin.

Nuk është e nevojshmë që Çili të dalë kundër shkrimit të vet, sepse kanë qenë shkrimet që i kanë dalë kundra. Nuk i kërkohet as të bëjë një anti-editorial ku ta dekonstruktojë Ramën si 'reformator të madh'.

Me betejë të fituar, por luftë të humbur, nuk është në nderin e triumfatorëve që të parashtrojnë kushte të tilla meskine.

Kjo nuk ia pret hovin dëshirës së një urimi me tingëllima cinizmi: Henri Çili, mirë se erdhe te linja ime editoriale!

Të fundit