Henri Çili promovon ‘Gazetën Liberale’. Ngjela: Beteja liberale duhet të niste edhe në Shqipëri

Gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, studiues dhe pedagogë kanë marrë pjesë ditën e premte në hotel Plaza në ceremoninë e themelimit të Gazetës Liberale, botim i Institutit Europian Pashko.
“…Ne nuk informojmë!”, shkruhet në sloganin shoqërues të markës së re që do të thotë se misioni i kësaj gazete shkon përtej lajmit. Instituti Europian Pashko i cili mundëson këtë botim ka në thelb të tij pikërisht promovimin e lirisë dhe demokracisë.
Presidenti i IEP-së, Preç Zogaj, u shpreh gjatë ceremonisë së themelimit se është pikërisht liria e cila sjell përparimin në vend: “Çdo gjë të mirë që kemi si vend dhe si individë këto tri dekada e kemi falë zbatimit të parimeve liberale. Çdo gjë e keqe na ka ardhur e na vjen nga shartimi i  elementëve të ekonomisë se tregut dhe shtetit të së drejtës me punizëm, etatizëm, klientelizëm, populizëm, arbitraritet e tjerë, shartim i cili jo vetëm e shfuqizon liberalizmin, por me keqja, mundëson korrupsionin endemik.”
Duke theksuar vlerën e liberalizmit ai shtoi se është e vetmja rrugëzgjidhje për situatën në të cilën gjendet Shqipëria sot: “Liberalizmi është zgjidhja reale dhe gjithëpërfshirëse për  mirëqënien e shqiptarëve, për zhvillimin dhe pasurimin e vendit.”
Në cermoni foli edhe Spartak Ngjela që nënvizoi se Shqipëria nuk është vendi ideal për të vënë në zbatim këtë lloj ideologjie, por se misioni që Gazeta Liberale po ndërmerr është shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në këtë moment.
“Më lejoni t’i uroj sukses gazetës, por mendoj që do të ketë një luftë shumë të madhe këtu. Në fillim do të jetë një ‘vox clamantis in deserto’, do jetë një zë në shkretëtirë. Liberalizmi ose liberali është shumë e vështirë të ndërtohet sot në Shqipëri.”
Duke parashtruar sfidat kryesore që i paraqiten sot për sot ideologjisë liberale, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Perëndim, Ngjela u shpreh se ndonëse problematikat dhe vështirësitë janë të shumta një ditë beteja për liberalizmin duhet të fillojë.
“Kjo gazetë që e ka marrë përsipër Instituti Europian Pashko, a do mundet të lëshojë në det një anije? E rëndësishme është që të fillojmë diku me konceptet mbi liberalizmin në Shqipëri. Gjithë problemi ishte që preokupimi perëndimor ishte tek individualiteti. Sot jemi në kohën e individualizmit e cila ka përfshirë edhe shoqërinë shqiptare” u shpreh Ngjela.
Në vetë misionin e Institutit Pashko, që mban emrin e ekonomistit dhe politikanit të njohur liberal të fillim viteve ’90, Gramoz Pashko, është pikërisht për të theksuar, promovuar, lançuar dhe debatuar këto ide liberale.
Gjatë fjalës përshëndetëse, botuesi i Gazetës Liberale, Henri Çili, u shpreh se kjo gazetë vjen në një moment shumë të rëndësishëm ku është e nevojshme kjo qasje, e cila i duhet jo thjesht tregut mediatik, por ideve ideve apo qasjeve liberale.
Çili ndër të tjera shtoi se, ky mision i Institutit Europian Pashko në kuadrin e kësaj devize, është rezistencë liberale në kulmin e zhurmimit të zërave në opinionin publik dhe atë mediatik, të protestave të rrugës, të reminishencave të totalitarizmit shqiptar, të ekstremit të majtë të veshur me terma trendi apo me veshje trendi, kamufluar nën ekstremizmin fetar apo nacionalizmin vulgar dhe ekstremist.
“GAZETA LIBERALE dhe portali i saj gazetaliberale.al, është një titull i ri i medias shqiptare, për të promovuar frymën e liberalizmit ekonomik dhe politik në jetën publike në Shqipëri. Ajo është botim i Institutit Europian PASHKO, dhe i kontribuon debatit publik me qasjen liberale ndaj ngjarjeve, zhvillimeve dhe fenomeneve të kohës sonë, përkundër inercisë totalitariste, përkundër rrezikut të populizmit punist dhe atij nacionalist, përkundër intolerancës, ekstremizmit, kërcënimeve të çdo lloji ndaj demokracisë, tregut të lirë dhe liberalizmit në botën shqiptare”, tha Çili duke shpjeguar misionin e gazetës.