Flash News

OP-ED

Herë si 'hajdut', tjetrën si 'shenjtor'. Si ndryshon Ilir Meta në të njëjtët sy

Herë si 'hajdut', tjetrën si 'shenjtor'. Si

Marsel Lela

Pa qetësi dhe dashuri, për disa edhe pa maturi, presidenti Ilir Meta ka treguar së fundmi një tjetër tipar. Një tipar që kishim kohë pa e parë, që kur ai bënte 'Mic Sokolin' në Parlament duke u hedhur mbi truprojat, në betejën me asokohe kryeparlamentaren Jozefina Topalli.

Sot Meta u ka hapur luftë të gjithëve; kryeministrit Edi Rama, ndërkombëtarëve dhe gazetarëve; rasti i drejtuesit të emisionit “Real Story”, Sokol Balla.

Nuk dihet çfarë fshihet realisht nën këtë humbje të papritur të aureolës së të qetit, por disa shkaqe merren me mend dhe disa të tjera pëshpëriten.

Që pas zhdekretimit të zgjedhjeve vendore  të 30 qershorit, Meta ka qenë njeriu më i urryer për Partinë Socialiste. Këtë, zyrtarët më të lartë të PS-së, përfshi Ramën, nuk kanë përtuar t'a vënë në dukje, duke iu drejtuar Metës me notat më të ashpra dhe ironitë më therëse.

Por nuk është hera e parë që presidenti është the hateful one. Historia dashuri-urrejtje mes tij dhe Ramës përsëritet si një lojë pushteti sa herë ka zgjedhje.

Në sytë e Ramës ai herë shfaqet si 'zoti 7 përqindsh', e herë si 'floriri' që vesh kurorën e pushtetit të tij.

Ai ishte i keqi, hajduti, sekseri që shfletonte bllokun e llogarive me 'gishtërinjtë obezë', në video-përgjimin e ish-ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti.

Ai ishte shkaku për të cilin Rama tërhoqi osh mbështetësit e tij, duke shkaktuar një batërdi që përfundoi me makina të djegura, sulme të dhunshme ndaj Kryeministrisë dhe medias, si dhe katër të vrarë më 21 janar 2011.

Dy vjet më vonë, me 23 qershor 2013 Ilir Meta do të kthehej në gjirin e së majtës, jo si një djalë plangprishës, por si i shenjti shpëtimtar.

Meta ishte Papa që vinte kurorën në kokën e Mbretit Rama.

Katër vjet më vonë ditët e Metës si shenjtori dhe mirëbërësi i PS-së do të merrnin fund.

Rama kërkoi të merrte rolin e Napoleonit duke ia hequr nga dora kurorën 'papa Metës', dhe duke e vënë vetë në kokë.

Sot, 'papa Metë' është kthyer në 'baba Xhike' për Ramën.

Tani ai është prapë i keq për Ramën, por ama është kthyer në shenjtor për një pjesë të shoqërisë, se po 'i shpëton' pikërisht nga Rama, të cilin po ai vetë e pat sjellë në pushtet.

Kështu shkon shoqëria jonë, duke ricikluar keqkuptimet e vetes dhe duke i njohur, Ilir Metës e të tjerëve, sipas nevojave të veta, statusin e dyfishtë dhe kompleks: herë të 'hajdutit', herë të 'shenjtorit'.

 

Të fundit