Flash News

KRYESORE

'Heronjtë e heshtur': Pse ka kaq shumë bujë për 'deputetët e tepsisë" dhe refuzim për ata që thonë 'Jo'?  

'Heronjtë e heshtur': Pse ka kaq shumë bujë për

Nëntëdhjetë e katër kandidatë nga listat e forcës më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike, i kanë thë 'Jo' ftesës për të marrë një mandat deputeti, në një Kuvend që përditë e më shumë, edhe falë transmetimeve live të së enjtes, i ngjan një parlamenti njëpartiak.

Që kur Partia Demokratike, dhe forcat e tjera të opozitës vendosën, nëpërmjet forumeve të larta, dorëzimin e mandateve të deputetëve, lista vijuese e kandidatëve është ndarë më dysh: marrësit dhe refuzuesit e mandateve.

Media, ndërkohë që është përqendruar te grupi i parë, ai i marrësve, e ka lënë krejtësisht në harresë grupin e dytë, atë të refuzuesve. Emrat e të parëve bëhen publikë menjëherë, intervistohen dhe shtyhen drejt 'piacës' publike duke i paraqitur si personazhe dhe shpëtimtarë të demokracisë.

Kjo ndodh, kryesisht, në mediat me linjë editoriale proqeveritare, që duan të krijojnë përshtypjen e normalitetit, përkundër krizës, si dhe të pompojnë një 'opozitë të re'. Refuzuesit, që nuk dalin kundër vendimit politik të partisë që i ka vënë në lista, që mendojnë ashtu si forca së cilës i përkasin, se Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira e të ndershme, 'mbyten' në heshtje. Ky grupim, megjithëse disa herë më i madh se i pari, nuk merr vëmendje mediatike, pavarësisht se kërkon më shumë kurajo dhe integritet t'i thuash jo privilegjeve dhe një karrigeje në parlament se sa t'i pranosh benefitet e saj.

Refuzuesit më të rinj të kësaj farse parlamentare ishin 3 kandidatë nga lista e Tiranës, Hysen Kadiu, Dashnor Visha dhe Erald Shulla dhe Erdion Maçolli nga Qarku i Korçës. Ata kanë bërë publik vendimin e refuzimit në faqet e tyre në rrjetet sociale, duke u shprehur se kushdo që bëhet pjesë e Parlamentit, ndihmon Edi Ramën.

“Refuzoj të jem pjesë e këtij parlamenti që bën sehir, kur shqiptarët nxirren nga shtëpitë e tyre me tymuese dhe kimikate të dëmshme, refuzoj të ulem në një sallë me deputetë me rekorde kriminale, refuzoj të votoj PPP-të korruptive të kësaj çerdhe paligjshmërie që quhet Parlament”-shkruan Hysen Kadiu, kandidati për deputet i Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës.

Erdion Maçolli, në listën shumëemërore të Qarkut të Korçës, i ka kërkuar KQZ-së, të nisë menjëherë procedurat për kapërcimin e emrit të tij në listë, pasi as nuk mund ta imagjinonte të bëhej pjesë e një parlamenti, të dalë nga vota ilegjitime dhe kur vendi lëngon në një krizë të thellë politike, ekonomike e institucionale. “Ëndrra më e madhe, është ajo për një Shqipëri europiane, të drejtë dhe meritokratike. Unë i besoj moralit dhe vlerave, jo një mandati të pamandatuar”.

Refuzimi i mandateve lexohet nga opozita si një mesazh për ilegjitimitetin e parlamentit dhe shërbimin që i bën qeverisë kushdo që ka pranuar të bëjë fasadën e opozitës brenda parlamentit.

Të fundit