Flash News

KRYESORE

'Heronjtë e punës socialiste', njerëzit që punonin për të ardhmen

Marsel Lela

“Kemi punuar për këtë ditë” është një shprehje që shqiptarët e përdorin shpesh, ndoshta pa ia ditur krejtësisht kuptimin, ose duke e lidhur atë vetëm me punën e bërë ndër vite, frytet e së cilës i gëzojnë sot. Por, para viteve 90, në kohën kur nga ndërtimi i hekurudhave, urave, ndërtesave e deri te hapja e tokave të reja bujqësore, ku përfshiheshin edhe terrene mjaft të vështira, kjo shprehje kishte një kuptim krejt tjetër.

Asokohe ndërtimi i këtyre veprave i përfshinte të gjithë, jo vetëm ata që paguheshin për të bërë punën. Propaganda komuniste i bënte jehonë punës vullnetare ku 'i madh e i vogël', pa marrë parasysh statusin shoqëror, duhet të ‘përvishnin mëngët për ndërtimin e atdheut’. Të gjithë ishin të barabartë përpara simbolit 'drapër e çekan’ që nuk njihte artisë, profesorë, shkencëtarë apo nëpunës të administratës shtetërore, vetëm ‘punëtorë të palodhur të idealit komunist’.

Mes tyre kishte njerëz dhe brigada të caktuara që zotoheshin për të kryer një punë vite përpara afatit që ajo punë kërkonte për t’u përfunduar. Për shembull, nëse ishte bërë një projekt për realizimin e të cilit kërkoheshin pesë vjet, këto brigada merrnin përsipër ta kryenin atë për dy ose tre vjet. Me pak fjalë, përfitimet e vitit 1975, ishin korrur në 70-ën ose 72-shin, ndërsa puna niste për realizimin e planeve për vitet '80. Këta ishin ‘Heronjtë e punës socialiste”.

Në arkivën e Bibliotekës Kombëtare ka shumë artikuj të gazetës “Zëri i Popullit’ që përshkruajnë punën e rëndë të njerëzve gjatë asaj kohe për realizimin e planeve të parakohëshme. Gjatë kërkimit në këto arkiva Politiko.al gjeti një artikull të 4 prillit 1968, ku përshkruhet se si një brigadë e rrethit të Librazhdit kishte arritur të realizonte dy vjet para kohe një plan 5 – vjeçar.

Sipas artikullit, planet ishin afatgjata dhe përfshinin njëzet vitet e ardhëshme, ku secila brigadë kishte për detyrë të realizonte një plan 5 – vjeçar. Zotimet që merreshin nga këto brigada për realizimin e planit, përcaktonin se puna e kërkuar do të bëhej në më pak kohë se afati i  kërkuar nga autoritetet. Ata dilnin vullnetarë që ta realizonin këtë plan të paktën dy vjet para kohe, në mënyrë që të nisnin një plan tjetër që i përkiste 5 – vjeçarit të mëvonshëm. Për të realizuar këtë, siç e shpreh edhe artikulli i 1968-ës i “Zërit të Popullit”, kërkohej një punë sfilitëse, pasi një punëtor duhej të bënte punën e tre të tillëve, ose thënë ndryshe një pune më turne të tejzgjatura.

Ja se si e përshkruan artikulli punën e rëndë të kooperativistëve që dilnin vullnetarë për të mbaruar brenda tre viteve një punë që ishte llogaritur për pesë vjet:

“Anëtarët e kooperativës bujqësore të Berzeshtës në rrethin e Librazhdit, janë zotuar që në një të katërtën e sipërfaqes që do të mbjellin me misër, të marrin sivjet 40 kv. për hektarë dhe një të tretën e sipërfaqes së grurit – 30 kv. për hektarë. Për të realizuar këto rendimente kooperativistët janë mobilizuar që çdo krah pune të bëjë 500 metër katrorë qilizmë”.

Vetë fjala ‘qilizmë’ nënkupton një punim të thellë me plug ose me lopatë që i bëhej një toke të re ose një are për ta detyruar që të shtonte pjellorinë. Duke menduar se e gjithë kjo bëhej me punë krahu për orë të tëra, nuk është e vështirë të imagjinohet sfilitja e punëtorëve që ndërmerrnin këtë nismë.

“Vetëm me forca të përbashkëta, me punë të palodhur anëtarët e kooperativës bujqësore të Berzeshtës do të plotësojnë me nder fjalën e dhënë për t’i realizuar dy vjet para afatit detyrat e planit të katërt pesëvjeçar”.

Në një tjetër artikull të gazetës “Bashkimi” të vitit 1970, shkruhet se Puka e vetme prodhon lëndë të sharruar e të stazhionuar si dhe krom sa e gjithë Shqipëria. Kjo, sipas artikullit, është bërë e mundur duke tejkaluar disa herë normat e përcaktuara nga Partia përgjatë 20 vjetëve.

Një tjetër artikull i po atij viti në gazetën “Bashkimi” tregon rastin e një kolektivi shoferësh të Qytetit Stalin, të cilët në vitin 1970 kishin nisur punën për vitin 1971-1972. Po në këtë gazetë të atij viti, një artikull me titull “Heronjtë dhe minierat”  tregon si shembull rastin e një punëtori me emrin Tahir Mehmeti, i cili kishte arritur të tejkalonte normën me 210 përqind, dhe kishte nisur planin për vitin pasardhës.

Për një punë të tillë një punëtori i duhej të punonte 12, 16 e nganjëherë deri në 20 orë në ditë. Pas disa vitesh pune të tillë ata dekoroheshin me titullin “Hero i punës socialiste”. Kjo dekoratë nuk përfshinte asnjë vlerë monetare dhe asnjë shpërblim material, përveç një ylli që përmbante një sasi të vogël ari.

Po të bëjmë një përllogaritje të thjeshtë nisur vetëm nga informacioni që na jep artikulli, nëse katër brigada të tilla që punonin me plane 5 – vjeçare për njëzet vitet në vazhdim, do të kishin të njëjtin rendimend, atëhere një plan afatgjatë i parashikuar për njëzet vjet realizohej për 10 ose 12 vjet, pra gati një dekadë përpara afatit. E nëse llogarisim punën e këtyre brigadave speciale përgjatë gjithë viteve të komunizmit, i bie që në vitin 1991 ata të kenë mbaruar planin edhe për 2010-ën.

Të fundit