Flash News

OP-ED

Hetimet false

Hetimet false

Fitim Zekthi

Arrestimet e ditëve të fundit nuk do të sjellin asgjë. Arrestimi i një grupi njerëzish në Shijak, të dyshuar për trafik droge, krime të ndryshme dhe  lidhje të forta me njerëz shumë lart në pushtet, gradualisht do të zbehet. Ka gjasa që ky grup të jetë arrsestuar për shkak të kërkesës së Policisë gjermane, e cila po hetonte një rrjet të trafikut të drogës ku gjendej edhe 'grupi i Shijakut'.

Qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama thanë se janë ata autorët e këtij operacioni dhe se ata hetuan në kuadër të luftës që i kanë shpallur krimit. Të njëjtën gjë bëri edhe me sasinë prej mbi 600 kilogramë kokainë, që u kap disa muaj më parë, kur tha se ajo u kap si pasojë e punës së qeverisë shqiptare. Në fakt, më pas doli, e tha vetë ushtria kolumbiane, që ajo ishte sinjalizuar nga kolumbianët.

Sa i takon arrestimit të ish-deputetëve Arben Çuko dhe Arben Ndoka, duhet thënë se bëhet fjalë për arrestime që nuk kanë dhe nuk do të kenë ndonjë domethënie të madhe.

Qeveria shqiptare e kryeminsitrit Rama ka kohë që është bërë një “mjeshtre” në hetimet false.  Njerëzit janë mësuar të dëgjojnë për lajmet false, por ka kohë që përdoret edhe termi 'hetime false'. Profesor Hamid Dabashi i Universitetit të Columbia-s thotë se 'hetimet false' priren t'i përdorin gjerësisht regjimet e korruptuara, autokratike etj. Qeveria shqiptare është shndërruar në mjeshtre të këtyre hetimeve false.

Fillimisht i përdori në parlament. Partia Demokratike, në maj të vitit 2014, ngriti akuza se në Shqipëri po kryhej trafik droge me avionë dhe kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje. Një komision i drejtuar nga opozita u ngrit. Ky komision u pengua si të gjitha komisionet parlamentare. Ndërkohë, kryeministri Rama ngriti një komision paralel, që u kryesua nga Ermonela Felaj, për të hetuar, jo nëse po kryhej trafik droge me avionë, por për të përgënjeshtruar atë që tha PD. 'Komisioni Felaj', brenda pak ditësh, tha që jo vetëm nuk ka trafik droge me avionë, por trafik droge me avionë ka patur në kohën kur qeveriste PD. Për fat të keq të qeverisë disa ditë më pas u rrëzua një avion në Divjakë dhe e bëri qesharak hetimin fals të kryeministrit.

Hetimin fals Kryeministri e çoi në një shkallë të re në rastin e përgjimit të vëllait të Ministrit të Brendshëm. Ai tha para grupit të deputetëve të PS se kishte kontraktuar gjatë natës një kompani të huaj që kishte bërë ekspertizën e audiopërgjimit. Kryeministri tha se ai kishte parë që audiopërgjimi ishte i sajuar, i gënjeshtërt.

Gjithashtu, në rastin e çështjes “Xhisiela”, Kryeministri tha se ka parë videot e Komisariatit të Fushë-Krujës dhe kështu që nuk ka parë aty prani të deputetit Balla apo deputetit Rraja. Pra, ai kreu një hetim fals. Edhe sikur t'i ketë parë pamjet, ai nuk mund ta kuptojë nëse ato që ka parë janë gjithçka apo ka të tjera. Edhe sikur t'i ketë parë pamjet, ai nuk mund ta kuptojë nëse ka montazh, nuk mund ta kuptojë nëse i përkasin asaj kohe apo një tjetre. Këto janë çështje të hetimit të vërtetë shkencor dhe jo atij fals. Nga ana tjetër, pamjet e komisariatit të Fushë-Krujës janë objekt hetimi nga Prokuroria dhe nuk mund të shihen nga askush sepse përbëjnë sekret hetimor. Edhe po të mos ishin sekret hetimor ato nuk mund të shihen nga politikanët. Ajo që regjistrohet në polici nuk është objekt i shikimit nga politika; vetëm kur një komision hetimor merr leje.

Sëmundjen e hetimit fals Kryeministri ia ka përcjellë Prokurorisë. Duhet thënë se, edhe më herët, Prokuroria ka bërë hetime false, por shkalla me të cilën ajo sot ka hyrë në këtë lojë është e pamendueshme. Prokuroria cilëson si provë kyç, që vërteton se përgjimi i vëllait të ministrit Xhafa ishte sajesë dhe aktrim, dëshminë e një njeriu që në një rast tjetër ka thënë se kjo është një lojë dhe se drejtori i Policisë e ka marrë me makinë dhe e ka çuar në Prokurori.

Kur shkruante për hetimin e FBI-së në lidhje me ndikmin rus në zgjedhjet në SHBA, Mukassey, ish-Prokurori i Përgjithshëm, thoshte se FBI nuk heton kurrë persona, por çështje. Kjo, thoshte ai, është në thelb të çdo hetimi që bën çdo trupë hetimore në botë. Hetimi bëhet shtresë pas shtrese, siç hiqen lëkurët e qepës. Niset nga më periferikja. Ata më periferikët merren dhe bëhen dëshmitarë të hetimit. Pastaj, gradualisht, arrihet në majë. Kur arrihet në majë ngrihet akuza, hetimi ka qenë i plotë, nuk ka shpëtuar askush dhe asgjë. Edhe në rastin e hetimit për ndikimin rus hetimi ka nisur nga operatorë të vegjël, nga njerëz që ishin shumë larg vendimeve të fushatës dhe ka arritur tek avokatët apo këshilltarët. Dy prej tyre janë dëshmitarë të hetimit.

Kështu ka ndodhur me maksi procesin në Itali. U hetua një çështje e madhe dhe një organizatë, jo një njeri apo disa njerëz. Kështu ka ndodhur gjithnjë. Ndërsa Prokuroria jonë, në stilin e hetimeve false, fut dorën diku, nxjerr një njeri, ose kap një njeri dhe e dënon si të veçuar, sikur ai të ishte vetëm në botë. Arrestohet një drejtor burgu dhe hetohet vetëm marrdhënia e tij me një ryshfet për të transferuar dikë. Po lidhja e tij më e gjerë me ata që e emëruan, po ata që emëruan ç’rol kanë, po lidhja e tij më e gjerë me personin që po transferohet, po qëllimi i transferimit etj. Mirëpo Prokuroria jonë bën hetim fals. Ajo arreston ish-drejtorin. I jep mundësinë qeverisë që të thotë se po lufton krimin, i jep mundësinë kryetarit të PS, Rama, që të thotë se po mban qëndrim ndaj të korruptuarve në një kohë që ky është falsitet, në një kohë që e vërteta është shumë më e gjerë dhe mund të shkojë shumë lart.

E njëjta gjë edhe me rastin e ish-deputetit Ndoka. Izolohet rasti, futet dora dhe merret vetëm diçka nga e gjitha. Nuk hetohet për çështjen, për lidhjet më lart, për rolin e atyre më lart.

Edhe çështja e njerëzve të arrestuar në Shijak është po e njëta. Hetimi rri tek ata. Nuk shkohet tek asnjë lidhje më lart, nuk shkohet tek asnjë oficer i lartë i Policisë, tek asnjë ministër apo drejtor apo kryetar bashkie. Krijohet ideja se grupi ka lindur nga hiçi dhe është rritur i vetëm dhe i izoluar, madje i luftuar nga Policia, i luftuar nga qeveria, i luftuar nga çdo qelizë e shtetit. Këto hetime nuk çojnë askund. Ish-deputetët gradualisht do të lirohen. Do të ketë lehtësime, derisa gjykata pas disa kohësh t'i lerë të lirë. E njëjta gjë edhe me njerëzit e grupit të Shijakut. Ata ngadalë do të dalin të gjithë. Gjendja nuk do të jetë njësoj, por do të jetë më e keqe sepse hetimet false do të shtohen dhe propaganda do të rritet dhe do të thotë se 'krimi po luftohet fuqimisht' dhe 'qeveria i është vënë përballë krimit'.

Të fundit