Flash News

KRYESORE

Hidhet shorti, zgjidhet gjyqtari relator për Endrit Doklen

Hidhet shorti, zgjidhet gjyqtari relator për Endrit Doklen

Në gjykatën e Apelit të Tiranës është hedhur shorti për gjyqtarin relator pwr Endrit Doklen, i njohur ndryshe si ish-kreu i bandës së Durrësit.

Dokle u lirua nga burgu më datë 14 janar 2020, me vendim të gjykatës së Krujës, vendim që u ankimua nga prokuroria.

Ndërkohë mësohet se dosja e Indrit Dokles ka mbërritur sot. Kjo çështje u regjistrua dhe u hodh në short. Relator në Apel u vendos Genti Shala.

Anëtarë të gjykatës janë Andi Civici dhe Shkëlqim Mustafa.

Por cilat ishin arsyet e lirimit të tij nga burgu?

Sipas verdiktit të gjyqtares Enkeleda Hoxha, gjatë qëndrimit në qeli që prej vitit 2005, Endrit Dokle është penduar dhe ka reflektuar thellë. Pranimi i lirimit me kusht të Dokles është bazuar në raportin vlerësues të Drejtorisë së Burgut Fushë-Krujë, për sjelljen e tij në qeli, si edhe në raportin e Zyrës së Shërbimit të Provës Krujë.

“I dënuari, përsa i përket qëndrimit ndaj veprës penale dhe viktimës, është i penduar. I dënuari nuk ka konsumuar më parë vepër tjetër penale. Gjendja fizike dhe psikologjike e të dënuarit është jo e mirë. Sjellja e tij në institucionin tonë e bazuar nga kontaktet dhe dosja e tij personale është shumë e mirë”, thuhet në raportin e Drejtorisë së Burgut Fushë-Krujë.

Edhe nga Zyra e Shërbimit të Provës ka rekomanduar nxjerrjen nga qelia të të dënuarit me burgim të përjetshëm.

“Koha e kaluar i mbyllur dhe larg familjes, e ka bërë të reflektojë shumë se pasojat e ardhura nga veprat penale në jetën e tij janë shumë të rënda dhe kurrsesi nuk e percepton ripërjetimin e një situate të tillë. Ai reflekton brejtje të ndërgjegjes për të gjitha pasojat e sjella në familje dhe jashtë saj. I dënuari ka shfaqur pendim të thellë për veprën penale, për të cilën është dënuar”, lexohet në raportin e Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës Krujë.

Të fundit