Flash News

KRYESORE

Hiq dorë nga e folura kot

Hiq dorë nga e folura kot

Fitim Zekthi

Niveli dhe përgjegjësia me të cilën artikulohet mendimi, ndërtohet dhe diskutohet në Shqipëri sot, do të bënte të turpërohej çdo student mesatar. Sindroma e përdorimit të fjalëve pa kuptim, e gjetjes së fjalës dhe pastaj formulimit në funksion të kësaj të mendimit apo fjalisë, papërgjegjshmëria dhe mediokriteti në përdorimin e metaforave janë shndërruar në atë që ishin shndërruar për Fidel Kastron fjalimet pafund të gjata për revolucionin.

Kjo nis nga universitetet dhe nga profesorët e tyre e më pas zbret në korridoret e zyrave dhe studiot e televizioneve. Përkufizimi më i saktë për gjithë këtë është: Fol kot se je në rregull. Një profesor i Ekonomisë në universitet flet në televizion për rënien e vlerës së lekut ndaj euros dhe e shpjegon atë me thjeshtësinë e një bisede në kafe, pa asnjë shpjegim shterrues dhe me fjalë të urta. Një çmenduri.

Një analist i njohur shkruan në një gazetë të madhe për  antikushtetutshmërinë, sipas tij, të bojkotit të opozitës dhe duke dashur të shpjegojë se sa e ngatërruar është politika në Shqipëri, përdor metaforën “nyjë dragoniane”. Në qoftë se profesori i Ekonomisë ka keqkuptuar edhe ekonominë si shkencë, edhe ligjërimin publik, analisti ka pasur në mend një metaforë dhe ka dashur ta fusë atë në fjali, me mendimin se kështu shkrimi bëhet më interesant.

Në fakt, ka treguar se s’di asgjë. Nuk ka një “nyje dragoniane” në mitologji, por një “nyje gordiane”. Drakoni ka qenë një legjislator dhe sundues i njohur për masa të ashpra, ndërsa Gordi ka zgjidhur një nyje të pazgjidhshme duke e prerë atë. Një profesor i Shkencave Sociale, ish-ambasador, botoi pak kohë më parë një libër qesharak, krejt të dobët, mbushur me citime pafund dhe emra autorësh të futur kuturu e jashtë kontekstit. Ai thoshte në atë libër se komunizmi në Europën Lindore, dhe sigurisht, edhe në Shqipëri ishte në pushtet në mënyrë legjitime.

Një tjetër profesor Sociologjie që del në televizion vazhdimisht dhe në çdo program nga mëngjesi në darkë, shprehej në një rast se duhet të rrëzojmë tabutë, të përqafojmë mendimin kritik, të shohim anët e mira dhe anët e këqija, të ruajmë familjen, të duam njëri tjetrin. Me kësi fjalësh të përgjithshme dhe pa kuptim ai ka kohë që iu ka mbushur mendjen njerëzve për sociologji. Pas kacavjerrjesh nëpër mediokritet dhe pa kthjelltësinë e një studiuesi është thjesht i njëjti përkufizim: “Fol kot se je në rregull”. Dhe në fakt bash kështu qe. 

Një deputet riosh i Partisë Demokratike mund të jetë shembull brilant se si njeriu flet kot dhe mund të jetë në rregull. Kur po diskutohej ligji për heqjen e makinave për zyrtarët kohë më parë, ky deputet kishte një arsye të hatashme për të votuar ligjin. Ai tha se ky është një ligj që do na bëjë ne të jemi më pranë njerëzve të thjeshtë, të ecim në këmbë në rrugë dhe të shtrëngojmë duart me ta.  

Një tjetër deputet që po shante opozitën tha dikur se shqiptarët kanë nxjerrë njerëz të famshëm si shumë perandorë të Romës dhe Bizantit, shumë kryevezirë dhe papë, dhe patriarkë, kanë nxjerrë Karl Gegën, kanë nxjerrë Aleksandër Moisiun, ndërsa sot kanë këtë opozitë të shëmtuar. Ky lloj diskutimi e ka tejkaluar çdo barsoletë vulgare, ndonëse të gjitha ato janë të tilla.

Një gazetar që drejton një emision politik në një televizion të rëndësishëm lajmesh, duke dashur të gjente një konspiracion në kremtimet e përvjetorit të Murit të Berlinit, e pyeti të ftuarin, që ishte Kastriot Islami, se pse atje mungonin arkitektët e rënies së Murit, si Regani apo Thatcheri. Ai nuk e dinte që presidenti Regan dhe kryeministrja Thatcher kishin vdekur, ka disa vite, por për të kjo s’ka rëndësi, rëndësi ka të flasësh. Të flasësh edhe kot.

Një akademik, profesor i Shkencave Sociale, vite më parë  duke dashur të shpjegojë arsyet pse qytetarët në Gërdec iu kthyen aq shpejt jetës dhe nisën të ndërtojnë pas asaj traume që kaluan, tha se ata kërkojnë të mbysin dhimbjen dhe t’i rikthehen jetës. Sigurisht që, kjo, jo vetëm nuk duhet të thuhet nga nja akademik, por as edhe nga një student mediokër. Fakti që tingëllon si poetike nuk mund ta bëjë argument për një akademik.

Shqipëria është e mbushur me kësi gjërash dramatike. Një historian i vjetër, që në mënyrë socrealiste e quajnë ikonë (nuk jeton më sot) shumë gazetarë, thoshte se “Shqipëria është çliruar më 29 nëntor, sepse unë isha dëshmitar.” Më e rëndë se kaq nuk mund të jetë. Historia u shkrua nga historiani, sipas asaj që ai ka parë. Po në rast se do i duhet të shkruajë se si u bë Çezari perandor, ky s’ka qenë dëshmitar aty.

Një deputet i PS thoshte në një program televiziv, kur u vra një biznesmen dhe partia e tij ishte në opozitë: “Vrasje që nuk zbardhen ka shumë, edhe në SHBA dhe kështu që unë mendoj se disa vrasje këtu janë bërë me dorën e shtetit dhe nuk zbulohen”. Apo një deputet i PD që thotë se PS dhe Rama kanë vjedhur 750 milionë euro me koncesione. Një tjetër që e shton, se i duket e vogël, dhe e bën 1 miliard.

Kjo është një mënyrë e turpshme të foluri. Kjo bëhet nga njerëz që nuk dinë të vlerësojnë asgjë dhe nuk kanë asnjë aftësi veç asaj për të qenë të vegjël dhe mediokër. Duhet detyrimisht, fillimisht universitet dhe profesorët, të mendohen më gjatë, me aq sa dinë, e më pas edhe të tjerët të nisin të heqin dorë nga e folura kot. /Revista Mapo

Të fundit