Historia e tre luftëtarëve shqiptarë të MMA-së që po befasojnë në SHBA

Dennis Buzukja dhe Lirim “Lenny” Rufati ndihen mjaft të lidhur me shqiptarin Vilson Ndregjoni. Të tre janë në hapat fillestarë të karrierave së tyre profesionale si sportistë të Arteve Marciale të Përziera (MMA) dhe që të tre janë shqiptarë.

“Unë ndihem po aq krenar që jam shqiptar sa edhe amerikan. Vetëm duke e ditur që ne të gjithë jemi shqiptarë, menjëherë krijojmë një lidhje me njëri-tjetrin. Jam krenar që i kam edhe ata të dy për të përfaqësuar vendin dhe njerëzit tanë”, tha Buzukja për faqen online “mmanews.com.

Buzukja dhe Rufati kanë lindur në SHBA, ndërsa prindërit e tyre janë emigrantë shqiptarë.

Ndregjoni është nga Tirana dhe aktualisht banon në Hekinsek, Nju Xhersi.

Buzukja dhe Rufati mund të mos kenë lindur në Shqipëri, por lidhjet e tyre me vendin e të parëve janë të vërteta.  Buzukja u lind në Staten Island, por u transferua me shokun tij sportistin Al Iaquinta në Long Island para një viti.

Rufati u lind në Bruklin, Nju Jork por u transferua në Cherry Hill, Nju Xhersi gjatë gjimnazit. Rufati jeton në Uiskonsin prej 4 vitesh.  Një mbështetje të madhe ata kanë gjetur edhe nga shqiptarët e SHBA-së.

“Shqiptarët janë njerëz shumë krenarë, vend i vogël, kështu që sa herë kanë ndonjë figurë si p.sh këngëtar, janë të papërmbajtshëm. Është absurde. Ata e duan boksin, por ata gjithashtu e duan edhe MMA-në”.

Ardhja në SHBA

Buzukja kujton se prindërit e tij bënë një sakrificë mjaft të madhe kur erdhën në SHBA. Ata nuk dinin anglisht, por punuan fort dhe ushqimi kurrë nuk mungoi në tavolinë.

“Ishte e vështirë të rritesha. Nëse prindërit e mi kaluan një oqean për mua që të kem një jetë më të mirë, atëherë unë duhet të luftoj në kafaz t’ua paguaj. Ja ku qëndron motivimi im”.

Buzukja mësoi shqip para se të mësonte anglisht. Ai madje ndihmoi edhe prindërit të mësonin anglisht, pasi nuk dinin mirë.

“U rrita duke njohur kulturën shqiptare dhe njëfarësoj isha i përjashtuar nga pjesa tjetër e shoqërisë. Mendoj se u rrita më shumë shqiptar se amerikan,e me kalimin kohës u mësova me çdo gjë këtu”, tha Buzukja.

Një shqiptar krenar

Të afërmit e Rufati-t erdhën në Bruklin të Nju Jorkut nga Shqipëria në 1983. I ati, Rufati, është nga Maqedonia e Veriut, kurse nëna nga Mali i Zi. “Prindërit më çonin andej çdo verë, ndaj unë mësova gjuhën kur isha fëmije. Ne jemi shqiptarë, atyre kjo gjë u pëlqen.”

Rufati shërbeu katër vite në ushtrinë amerikane, sepse donte të mbronte vendin, ku erdhën prindërit e tij.

Një shtet i tërë i mbështet

Buzukja dhe Rufati e dinë se çfarë do të thotë që të kenë një turmë shqiptarësh pas tyre.

Më 22 shkurt ata fituan ndeshjet në “Ring of Combat 67”. “Kudo kishte flamuj dykrenorë kuqezi. Pas duelit ata brohoritën emrin e Denisit, ai shiti më shumë bileta. Pastaj ata më panë mua dhe kuptuan se edhe unë isha shqiptar. Pastaj nisën të brohorisnin emrin time. Ishte çmenduri”, tha Rufati.

“Mendoj se kokëfortësia jonë na bën ndryshe. Jemi trima dhe të fortë. Jemi më shumë kurajozë se luftëtarët e tjerë. ndoshta ka të bëjë me mentalitetin e malësorit”, tha Buzukja.