Flash News

OP-ED

Historia si continuum

Historia si continuum

nga Virgjil Muçi

Duke shfletuar veprën dyvëllimshme të Konstandin Jireçekut “Historia e serbëve” mbetesh i mahnitur nga përmasat e këtij monumenti shkencor, i cili u shërben bujarisht studiuesve të fushës, por edhe studentëve të historisë dhe dashamirëve të kësaj disipline që dëshirojnë të zgjerojnë e thellojnë dijet. Lypset thënë se deri më sot nuk kemi pasur ndonjë punim të ngjashëm që të dijë e të na ofrojë një afresk shumërrafshësh – politik, ekonomik, ushtarak, gjeografik, qytetërimor e diplomatik – dhe epokal – periudha e parasllavizmit dhe periudha pasosmane.

Historia e serbëve e kundruar prej Jireçekut ndahet në dy blloqe të mëdha kohore: në të parin vendosen në plan të parë marrëdhëniet me Perandorinë Romane të Perëndimit, fillimisht, e më pas me atë të Lindjes, thënë më shkoqur me Bizantin, ndërsa në bllokun e dytë kemi marrëdhëniet me Perandorinë Osmane. Është me rëndësi të theksohet se në Mesjetë serbët herë kanë qenë aleatë, herë vasalë e kundërshtarë të perandorëve të Kostandinopojës, por asnjëherë nënshtetas të mirëfilltë të tyre, siç ndodhi me fqinjët bullgarë më 971 e më pas. Po, ndërkaq, ata ishin ithtarët më besnikë të Kishës Lindore, duke qenë në kufirin veriperëndimor të Kishës Perëndimore, asaj romane, që e shtriu ndikimin e vet në Dalmaci, Kroaci dhe në Hungari.

Literatura përmbi historinë e serbëve nuk është e vogël, por e pasur dhe e shumëllojshme, çka qe një thikë me dy presa për autorin e kësaj sipërmarrjeje, qoftë ai edhe një historian i përmasave të Jireçekut. Duke qenë se nga njëra anë ai vërtet zotëronte një lëndë të bollshme për të shfrytëzur, por, nga ana tjetër, duhet të dinte e t’i shpëtonte grackës që krijonin paraardhësit e tij, qofshin ata serbë, qofshin të huaj. Referencat e ofruara prej autorit krijojnë një përfytyrim të qartë të punës voluminoze të kryer dhe shërbejnë si një bazë e pasur të dhënash për të gjithë ata që interesohen të shtyhen më tej në hulumtimet e tyre, si për të këqyrur historinë e serbëve, por edhe të popujve të tjerë të Ballkanit, duke mos lenë jashtë vëmendjes edhe shqiptarët. Nisur nga ky këndvështrim mund të themi se historia e shkruar prej Jireçekut është sa histori e serbëve, po aq edhe e fqinjëve të tyre dhe, në rastin konkret edhe e jona, duke qenë se në të hasim të dhëna të rëndësishme që nuk shërbejnë thjesht e vetëm për të gudulisur fantazinë, por edhe pasurojnë dijet e njohuritë tona. Sa për të sjellë dy shembuj kuptimplotë: “Varro, një bashkëkohës i Ciceronit, lavdëron vajzat e forta dhe punëtore të ilirëve, të cilat kullosin pa u lodhur gjedhët, tërheqin zvarrë dru deri te vendi i zjarrit, përgatisin gjellë dhe krahas kësaj lindin fëmijë dhe u japin gji për të pirë me lehtësi. Fakti që iliret e reja gëzojnë liri të plota të lëvizin të pashoqëruara, si dhe mund të kenë fëmijë të kujton përshkrimet e zakoneve të trakëve të Herodotit (…)”. Dhe më pas “Malet dhe pyjet e lehtësonin mbrojtjen e vendit. Vendbanimet thuajse të papushtueshme të pirustëve dhe desiatëve i përshkruan Vellejus Patercelus i dërguar në luftën dalmate nën sundimin e Augustit. Armiqësitë e pafundme dhe fushatat plaçkitëse nxitën krijimin e shkretëtirave të mëdha pyjore. Këto janë shkretëtirat e Dardanisë të përmendura ende në Dimensuriato provincarium romak të vonë (…). Shpellat e natyrshme përdoreshin si banesa, fortifikime ose si dhoma që i shërbenin Zotit. Gjatë fushatës së Krausit (29 para Krishtit) mezianët u mbyllën bashkë me tufat e tyre në shpellën e madhe Keiris dhe duhet të jenë rrethuar prej romakëve deri sa vdiqën urie. Sipas Strabonit, i cili shkruante nën sundimin e perandorit Tiber, dardanët, të cilët për grekët ishin një popull jashtëzakonisht i papastër, i palarë, jetonin në shpella poshtë grumbujve të bajgave dhe argëtoheshin në këto skuta me fyej dhe instrumente me tela”.

E megjithatë si detyrë parësore në shkrimin e kësaj historie të serbëve, Jireçeku ka këqyrur një paraqitje të ngjarjeve nisur nga burimet historike dhe të dhënat e tjera lidhur me realitetin e ngjarjeve më domethënëse. Autori ka bërë kujdes të shmangë hollësitë e imta, të cilat, sipas tij, i shkojnë më fort për shtat një historiani vendas. Në plan të parë është vendosur Mesjeta, shteti i vjetër serb me shoqërinë politike dhe marrëdhëniet ekonomike brenda tij dhe me vendet fqinje, por edhe më gjerë. Siç e cekëm më lart, autori i ka kushtuar vëmendje, s’do mend duke ruajtur drejtpeshimin e duhur, vendeve fqinje dhe, më konkretisht, Bosnjes mesjetare, e cila kishte një profil të veçantë shtetëror e fetar dhe ishte rivale e fuqishme e Serbisë, si në kohërat kur jetonte Stefan Dushani, kohë kur bani Stefan II filloi t’i zhvendoste serbët nga deti Adriatik, ashtu edhe në periudhën e despotëve serbë të shekullit 15-të, të cilëve iu desh të luftonin vazhdimisht kundër mbretërve bosnjakë.

Pas “Serbët dhe shqiptarët” të Shuflait, kjo vepër e Jireçekut është një tjetër kontribut i rëndësishëm në bibliotekën e Albanologjisë, e cila po përfton gjithnjë e më shumë atë peshë dhe rol të pazëvendësueshëm që na vjen në ndihmë për të parë me kthjelltësi dhe objektivitet historinë, tonë dhe atë të fqinjëve tanë, sidomos në këto ditë kur me pretekste gjithfarësh duar mëngjarashe duan të shkartisin e ndyjnë memorien historike.

Të fundit