Hoxha: Njëri prej vëllezërve Hajri u takua me një ministër të Ramës para zgjedhjeve

Gazetari Artan Hoxha ka treguar se grupi Hajri ka pasur lidhje edhe me një ministër të qeverisë Rama. Ai u shpreh se agjentët e huaj i kishin në vëzhgim dhe se i përgjonin.

“Në vitin 2016, në fund të vitit 2016, ke parasysh në 2017 kishe zgjedhje…Në Shqipëri ishte në pushtet koalicioni i majtë. Një oficer i një misioni të huaj i atashuar në Shqipëri përmes një kolegu me kërkon një takim për kafe. Në takim gjatë bisedës që u fol për kanabisin e nuk e di çfarë ishte, papritur në atë moment me nxjerr dy foto në një format A4 të printuara në pamje të dobëta që të mos dukej qartë cilësia… Më thotë gjatë regjistrimit që i kishin bërë një grupi kriminal shqiptar që po kërkohej për llogari të italianëve. Ata kishin vendosur teknikë në lokalin ku është bërë takimi, pajisje përgjimi dhe objektet e përgjimit të tyre ishin Altin Hajri, i cili ishte shpall në kërkim në 28 tetor të 2015-ës dhe në 6 maj të 2016-ës u hoq nga kërkimi… Interpoli e hoqi nga lista e kërkimit… Ne tha i vumë pajisjet atje dhe aty na rezultoi se në takim ishte një nga vëllezërit Hajri një ministër i qeverisë Rama dhe një politikan tjetër shumë i rëndësishëm… Takimi po behej për të ndihmuar në fushatën elektorale të vitit 2017.”, tha Hoxha në emisionin “Opinion”.

Sipas tij, takimi u bë për t’i kërkuar ndihmë, për shkak të influencës që grupi kishte në zonat e Shijakut , Xhafë-Zotajt e Shkallnurit.

Gazetari investigativ tregoi detaje edhe nga nisja e konfliktit mes të dyja palëve.

“Nuk është e vërtetë që vëllai i Dod Pregës (Jan) që ka qenë korrier i tyre, ai ka rrëmbyer drogën nga kontenieri nga porti, i ka rrëmbyer ngarkesën e tyre. Trajleri do shkonte në destinacion, rrëmbimi dhe fshehja e ngarkesës ka sjellë dhe gjithë këtë ashpërsi. Fakti që ata dogjën makinën tregon se ata donin të humbnin gjurmët që do të thotë se kishte një problem në pengmarrje. Atyre i ngeli në dorë pengu”.