Humbi jetën në spital pasi plagosi prindërit, identifikohet i riu që u hodh nga pallati, ç’i gjeti i ati në kompjuter

Një i ri vetëm 25 vjeç ndërroi jetë sot në QSUT, pasi mbrëmë vonë u hodh nga kati i 3-të i pallatit ku banonte. Aktin fatal, i riu i identifikuar si Brion Skrapari, e ka ndërmarrë pasi kishte qëlluar me thikë e duke lënë të plagosur dy prindërit e tij 60 dhe 53-vjeç.

Mësohet se i riu ishte konfliktuar me prindërit pasi i ati kishte zbuluar se djali i tij ishte lidhur me rryma ekstremiste, që përmbanin propaganda islamike.

Ky fakt ishte zbuluar prej të atit nga mesazhet e gjetura në kompjuterin e tij personal, çka ka bërë që në familjen e tyre të “ndizej” sherri dhe më pas të degjeneronte deri në përdorimin e thikës, raporton Report Tv.

Pas ngjarjes, në spital kanë përfunduar edhe prindërit e të riut, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Informacioni paraprak 

Më datë 05.05.2018, rreth orës 22:05, është dërguar në QSUT shtetasi B. S., rreth 25 vjeç, në gjendje të rëndë, i hedhur nga kati i tretë i banesës në rrugën “Nasi Pablo”.

Gjithashtu kanë shkuar në spital, të dëmtuar me mjet prerës, i ati, shtetasi E. S., rreth 60 vjeç dhe e ëma, shtetasia A. S., rreth 53 vjeç.

Nga hetimet e kryera deri tani rezulton se 25 vjeçari pas një grindje ka goditur babain dhe më pas nënën me thikë.

Pas këtyre veprimeve 25 vjeçari është vetëhedhur nga kati i tretë i banesës.

Po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes.