“Hyjmë në zgjedhje, por me kushte”. Basha i propozon kryesisë marrjen e tre vendimeve

Gjatë një mbledhjeje me kryesinë e partisë, kryetari demokrat Lulzim Basha ka bërë tre propozime që duket se do të përcaktojnë edhe fatin politik, jo vetëm të kësaj force, por edhe të skenës politike shqiptare.

Kështu, Basha i propozoi kryesisë që, regjistrimi në zgjedhje të ndodhë vetëm pas krijimit të kushteve që ato të mbahen të barabarta; në rast të kundërt të mos lejohet mbajtja e zgjedhjeve fasadë dhe, së treti të mandatohet kryetari i partisë dhe sekretari i Përgjithshëm per të negociuar me partitë aleate marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira.

 

KRYESIA E PARTISË DEMOKRATIKE VENDOSI T’I PROPOZOJË KËSHILLIT KOMBËTAR:

1. Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.
2. Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
3. Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë Tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.