“I arrestuar në Greqi”/ PD kërkon hetim për kryebashkiakun e PS, çfarë deklaron Agim Kajmaku në formularin e dekriminalizimit

Pas Valdrin Pjetrit, Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë të nisë hetimet për një tjetër kryebashkiak të PS, të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Bëhet fjalë për Agim Kajmakun, kryebashkiakun e Vorës.

Në kërkesën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, thuhet se “dyshohet se ka qenë i arrestuar/ ndaluar në Greqi dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke”.

Ndër të tjera, theksohet fakti se për 12 vjet me radhë, Agim Kajmaku nuk ka udhëtuar në Greqi, megjithëse ka jetuar aty disa vjet me një emër tjetër.

Po ashtu, kreu i PD, Lulzim Basha e listoi pak ditë më parë në “listën e zezë” të 17 kryebashkiakëve dhe deputetëve të PS të lidhur me krimin.

Por, çfarë ka deklaruar vetë Kajmaku në formularin e dekriminalizimit, para kandidimit të tij në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Siç duket, në dokumentin e dekriminalizimit, ai ka shkruar se ka emigruar në Greqi ku edhe ka pasur emër tjetër.

Jorgo Toto, është një nga emrat që Kajmaku ka pasur në Greqi. Sipas PD, ai mendohet se ka qenë i dënuar, por një vepër të tillë, Kajmaku nuk e ka deklaruar, duke shënuar me X kutinë që mohon të ketë patur më parë probleme me ligjin.

Nëse rezulton se Kajmaku ka qenë më parë i dënuar për ndonjë vepër penalë, atëherë në Vorë hapet mundësia të ripërsëriten zgjedhjet për një kryebashkiak të ri.