I dënuar më parë dhe i arratisur, mësohet identiteti i të dyshuarit për përfshirje në grabitjen e Rinasit

Është zbuluar identiteti i personit të dyshuar si i përfshirë në grabitjen e 9 prillit në Rinas Një nga personat që po verifikohet nga Policia e Shtetit për përfshirjen në grabitjen e Rinasit, është 31-vjeçari Klement Çala.

Çala nuk është një emër i panjohur për policinë pasi ai është shpallur në kërkim në vitin 2017, bashkë me Admir Muratajn, si të përfshirë në grabitjen e autoblindave në Qaf-Kashar që po shkonin drejtë Rinasit më 9 shkurt.

Çala ka qenë i akuzuar nga shteti grek për grabitjen e 1 milionë eurove bashkë me Admir Muratajn të Bankës Kombëtare Greke në qendër te qytetit të Larisës dhe është shpallur në kërkim që prej vitit 2013.

Ai është gjithashtu një ndër pjesëtarët e grupit të Ilir Kupës që u arratisën nga burgu i Trikallës në Greqi. Bashkë me Ilir Kupën dhe Admir Muratajn kaluan kufirin e gjelbër dhe u fshehën në Shqipëri.

Klement Çala është arrestuar më parë në Vlorë, por mbetet mister se si është liruar nga gjykata me gjithë akuzat e ngritura ndaj tij.