Flash News

KRYESORE

I dha fund kapitullit të Kurtit; Kush është Avdullah Hoti, kryeministri “i pandemisë”?

I dha fund kapitullit të Kurtit; Kush është Avdullah Hoti,

Mesditën e sotme Kuvendi i Kosovës ka votuar përzgjedhjen e Kryeministrit të ri, pas rrëzimit me mocion mosbesimi të ish-kryeministrit Albin Kurti. Me 61 vota “pro” kandidati i LDK-së, Avdullah Hoti, është përzgjedhur si kreu i ardhshëm i ekzekutivit.

Kryeministri “i pandemisë”, thënë kështu pasi vjen në një kohë kur Kosova dhe mbarë bota gjenden në kushtet e emergjencës shëndetësore, i jep kështu fund kapitullit të qeverisjes së Albin Kurtit, e cila do cilësohet si qeveria më jetëshkurtër në historinë e vendit me vetëm 51 ditë.

Kujtojmë se, me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim Kuvendi i Kosovës rrëzoi kreun e Vetëvendosjes në kohë pandemie, duke theksuar më tepër krizën politike.

Por kush është Abdullah Hoti? Biografia e tij.

Abdullah Hoti ka studiuar menaxhment dhe informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 1994-1998. Studimet e magjistraturës (2001-2002) dhe të doktoratës (2003-2007) për ekonomiks i ka përfunduar në Staffordshire University, Britani e Madhe. Më 2008 është certifikuar nga Staffordshire University për metoda hulumtuese dhe mentorim të studentëve të doktoratës.

Përvoja akademike dhe hulumtuese: Ka filluar angazhimin si asistent mësimor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1998. Në vitin 2008 është zgjedhur Profesor Asistent, ndërkaq më 2012 është zgjedhur profesor i asocuar. Në këtë fakultet ligjëron disa kurse në studimet bachelor, master dhe të doktoratës.

Në Kolegjin Dardania në Prishtinë ligjëron mikroekonominë dhe makroekonominë. Ka ligjëruar në Universitetin e Pejës gjatë vitit 2008-2009. Gjatë viteve 1999-2004, ka punuar si hulumtues, me kohë të pjesshme, në Institutin Riinvest në Prishtinë. Ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 2007-2009.

Hoti ka qenë anëtar i disa këshillave profesionale dhe akademike në vend dhe jashtë. Ka publikuar gjashtë tekste, në gjuhën angleze, prej tyre dy si autor i vetëm dhe katër si bashkautor. Ka publikuar 16 artikuj shkencorë në revista ndërkombëtare lidhur me tregun e punës, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin, arsimin, migracionin dhe remitancat dhe fusha të tjera.  Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare dhe vendore.

Angazhimet politike: Gjatë viteve 2006-2007, ka qenë Këshilltar i Lartë i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës. Gjatë viteve 2008-2009, ka qenë Këshilltar për Ekonomi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës. Për një mandat (2010-2013) ka qenë Nënkryetar i Komunës së Prishtinës. Nga viti 2006 është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Nga viti 2010, është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga viti 2011, ka kryesuar Këshillin e Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në qershor 2014, është zgjedhur Deputet i Kuvendit  të Republikës së Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Hoti është i martuar dhe ka dy djem, Ledionin dhe Antianin.

Të fundit