Flash News

KRYESORE

I ktheu pas për rishqyrtim, Kuvendi rrëzon 3 dekretet e Presidentit Meta

I ktheu pas për rishqyrtim, Kuvendi rrëzon 3 dekretet e Presidentit

Kuvendi ka rrëzuar 3 dekrete të Presidentit të Republikës, Ilir Meta të cilat ishin kthyer pas për rishqyrtim. Në fund të seancës plenare të kësaj të enjteje, Kuvendi ka rrëzuar dekretet e Presidentit Meta për “Ligjin për turizmin detar”, “Tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “Prokurorimet në fushën e mbrojtjes”.

Mësohet se, Kuvendi ka rrëzuar me 84 kundër dhe 17 pro “ligjin për turizmin detar”; Me 83 kundër dhe 16 pro është rrëzuar dekreti i Metës për “heqjen e TVSH-së për jahtet” dhe 81 kundër 17 pro u rrëzua dekreti për “prokurorimet në fushën e mbrojtjes”.

Kuvendi kishte miratuar rreth një muaj më parë ligjin që përjashton nga TVSH “importimin e jahteve dhe mjeteve të tjera ujore, që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi, jo më të vjetra se 20 vjet, që përfshihen në kodin 8903, të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave”. Por presidenti Meta argumentoi se ky ligj nuk ishte në harmoni me nevojat emergjente të vendit, si dhe me parashikimet e Institucioneve Financiare, të cilat raportojnë për përkeqësimin e situatës ekonomike, për këtë arsye ai e kishte kthyer pas për rishqyrtim. Megjithatë dekreti i tij u hodh poshtë nga Kuvendi.

Së dyti, ligji për aktivitetin e turizmit detar. Kreu i shtetit kur ktheu ligjin renditi disa arsye duke filluar nga gjobat, që certifikimi të mos bëhet nga ministri për subjektet dhe që ligji kishte terma që nuk ishin në gjuhën shqipe. Por shumica edhe këtë e rrëzoi.

Dekreti i tretë që u rrëzua lidhet me prokurimet në fushën e mbrojtjes. Sipas Presidentit, ky ligj që ka në thelb procedurën për furnizimin me pajisje ushtarake, të klasifikuara, mallra apo shërbime cenon parimet e rëndësishme kushtetuese. Meta vijon më tej duke theksuar se ky ligj shmang procedurat e hapura për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe ul ndjeshëm mundësinë e biznesit vendas për pjesëmarrje, pretendime këto të cilat u rrëzuan nga socialistët.

Të fundit