I mbylli lidhjen sa i përmendi detyrën e re nga Rama, deputetit s’i del inati me Eni Vasilin: Do i përgjigjem çdo provokimi

Deputetit të opozitës parlamentare, Lefter Maliqi duket se nuk i ka dalë inati që pas episodit të mbrëmshëm me gazetaren Eni Vasili, e cila i mbylli lidhjen direkte në emisionin ku e kishte ftuar, fill pasi ai i përmendi detyrën e re në administratën shtetërore.

“Ti po e drejton keq emisionin. Ta gëzosh detyrën që të ka dhënë Edi Rama”, ishte urimi i Maliqit.

“Po na jep dhe mend tani. Hajt mirupafshim!”  replikoi gazetarja duke e mbyllur lidhjen direkte me deputetin.

Ndërkohë, sot në rrjetet sociale, Maliqi reagon sërish duke publikuar titujt e lajmeve nëpër portale mbi debatin e mbrëmshëm dhe sqaron se të vërtetat sipas tij do t’i paraqesë kudo pavarësisht debateve televizive.

“Pavarsisht debateve televizive,ju siguroj qe të vërtetat publikut do ja paraqes kudo ne media,parlament ne popull etj.Cdo provokimi do i pergjigjem deri ne fund te karrieres politike me kurajo dhe ne sy per te faktuar cdo inskenim,kapje dhe interesa me Qeverin,respektoj median e pavarur,dhe denoncoj cdo sherbim qe i behet Qeverise se kapur nga krimi,oligarket e korrupsioni.Situata politike dhe ekonomike ne vend eshte shume e rëndë.Faktori nderkombtar duhet te nderhyj per zgjedhje te lira te ndershme dhe te parakohshme,e kunderta revolucioni demokratik popullor domosdoshmëri jetike per fatet dhe te ardhmen e vendit ne BE”, shkruan Maliqi.
Vasili e mori detyrën e re më datën 4 korrik, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave me firmën e Edi Ramës dhe Erion Braçes.

Në parlament, ajo u  votua me 70 vota pro, 18 kundër dhe 16 abstenim ndërsa 6 deputetë munguan.