Flash News

KRYESORE

Ilir Meta apel Ramës: Reflekto me përgjegjshmëri dhe maturi për protestën e studentëve!

Ilir Meta apel Ramës: Reflekto me përgjegjshmëri dhe maturi

Presidenti Ilir Meta, i ftuar në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Akademisë shqiptare të Studimeve Politike, ka mbështetur të rinjtë shqiptarë.

Ai foli dhe për protestën e studentëve, kërkesat e të cilëve i quajti mëse të drejta si dhe bëri apel që qeveria të reflektojë me përgjegjshmëri ndaj protestës së tyre.

Energjia pozitive, kreativiteti, guximi dhe entuziazmi i të rinjve padyshim që përbëjnë një rol transformues të çdo shoqërie për induktimin e mendësisë dhe kulturës së re të të studiuarit, të të punuarit dhe të të jetuarit. Të gjithë ne, si përfaqësues të institucioneve dhe në përgjithësi si shoqëri, na duhet të reflektojmë thellë për kapitalizimin e këtij potenciali të jashtëzakonshëm njerëzor e rinor në dobi të të ardhmes së gjithë vendit.

Në këtë kontekst, nuk mund të shmang apelin e përsëritur për të reflektuar me shpejtësi, me përgjegjshmëri dhe maturi ndaj protestës së studentëve që po zhvillohet në disa qytete kryesore të vendit. Mendoj se ka një konsensus të gjerë publik që i konsideron kërkesat e tyre si të drejta, legjitime dhe plotësisht të realizueshme.

 Ndaj zëri i tyre duhet të dëgjohet nga të gjithë. Unë kam besim se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë për një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e këtyre kërkesave të drejta në interesin më të mirë, jo thjesht të studentëve, por në radhë të parë në interesin më të mirë të gjithë vendit. Pasuria më e madhe të cilës duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje se sa deri tani është rinia, është potenciali i saj dhe investim madhor e afatgjatë duhet të jetë një edukim sa më cilësor dhe i aksesueshëm për të gjithë të rinjtë", tha Meta.

Më tej ai shtoi se  pasuria më e madhe që duhet t’i kushtojmë vëmendje është rinia e potenciali i saj dhe investim madhor e afatgjatë duhet të jetë një edukim sa më cilësor për të gjithë të rinjtë.

Formimi profesional i të rinjve në të gjitha fushat është domosdoshmëri. Pa bërë një ndryshim të ndjeshëm e afatgjatë për investimin në kapitalin njerëzor do ta kemi të vështirë për një rritje ekonomike më të lartë, më të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse!”, u shpreh më tej ai.

Të fundit