Flash News
Shoferja humb kontrollin në aksin Devoll-Miras, dy të plagosur
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Vladimir Gligorov/ Novi Magazin
Nëse nuk dini asgjë më shumë sesa ato që informojnë gazetarët, ftesa e Grenellit për takimin e zotërinjve Vuçiç dhe Thaçi në Shtëpinë e Bardhë duket si improvizim. E them këtë sepse kam parasysh se në Ministrinë amerikane të Punëve të Jashtme dhe në ambasadat amerikane në Prishtinë dhe në Beograd nuk kishte sesi të mos dihej se zoti Thaçi ishte nën akuzë që është ende në procedurë e sipër. Po ashtu duhet ta kenë pasur të qartë se, as ai dhe as zoti Hoti nuk do të munden të nënshkruajnë asgjë në takimin e Uashingtonit. Gjithsesi diçka të nevojshme që të kishte vlerë afatgjatë dhe që të zbatohej. Mund ta kuptoj se zotërinjtë Vuçiç (i cili gjithashtu nuk ka sesi të mos ketë qenë i informuar), Thaçi dhe Hoti nuk kanë dashur t’i thonë zotit Grenell se nuk ka kuptim të takohen kur pala kosovare në këtë moment është kaq e sakatuar, por u desh të bëhej publik lajmi mbi akuzën dhe kësisoj mundimi u eleminua.
Është e pabesueshme sesi erdhi puna deri te ky aksion diplomatik i improvizuar.
Përsëri, nëse nuk dini asgjë më shumë sesa ato që shkruajnë gazetat, del se është plotësisht e paqartë se ku bazohen pritmëritë e Brukselit dhe në mënyrë të veçantë ato të zotit Lajçak sipas të cilave marrëveshja mes pushtetit serb dhe atij kosovar do të arrihet. Që do të bisedohet, me t’u sqaruar puna se cili do të jetë i autorizuar të bisedojë, do të bisedohet.
Po cila do të duhej të ishte përmbajtja e marrëveshjes?
Brukseli, me sa mund të shoh sipas deklaratave, vazhdon të besojë se marrëveshja është e mundshme sepse pushteti dhe populli serb, për të mos folur pastaj për Kosovën, janë të interesuar në mënyrë jetike për t’u antarësuar në BE. Zoti Vuçiç thotë madje se deri në vitin 2026. Kjo mund të duket si shumë shpejt, por është pikërisht fjala për gjashtë vitet e fundit të bisedimeve dhe vendimeve që është njëlloj sikur ta nisësh nga fillimi. Bisedimet filluan në fund të vitit 2013. Le ta përllogarisim se nga viti 2014, kjo është gjithsesi një periudhë e gjatë për të thënë se jemi në fillim.
Çfarë ka ndryshuar ndërkohë që ky afati i ri të jetë i realizueshëm?
Përsëri, nëse informoheni vetëm nga gazetat dhe në mënyrë të veçantë lexoni komentet e personave që do të duhej të dinin se çfarë flasin, duket se besohet se tani, meqënëse zoti Vuçiç ka vendosur pushtetin personal, do të dëshirojë të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, e pas kësaj të futë Serbinë në BE.
Kjo gjithashtu ngjet me improvizim.
Këtu ka rëndësi të theksojmë se të gjithë kanë hequr dorë nga ideja për shkëmbimin e territoreve (ndoshta zoti Daçiç akoma jo). Por le të shohim se çfarë ka qenë e ofruar dhe e shqyrtuar seriozisht? Duke lexuar gazetat dhe duke ndjekur deklaratat dhe reaksionet e gjoja dy partnerëve në këtë punë, zotërinjve Vuçiç dhe Thaçi, mund të vërehet se Thaçi vazhdimisht përmend Luginën e Preshevës dhe Vuçiçi krysisht nuk reagon fare. Dhe nga ana tjetër, askush nuk përgënjeshtron zyrtarisht sikur diçka e tillë të ishte e mundshme, ndërkohë do të ishte diplomatike të zemërohej dhe të fyhej nga vetë ideja.
Kjo do të thotë se askush nuk e merr seriozisht.
Dy janë rregullat nëse merreni me analizë politike në kohë reale. Njëra është se duhen evituar shpjegimet mbi bazën e ngjarjeve që ndjekin njëra tjetrën që duken sikur mes tyre të ekzistonte ndonjë lidhje. Sepse këto janë improvizime që vetëm rastësisht mund të jenë të shpikura, e kësisoj edhe të papërdorshme. Rregulli tjetër është të evitohen informacionet nga burimet e informuara dhe të përdoren vetëm ato që janë të arritshme nga të gjithë; fjala vjen ato të gazetave.
Jo sepse informacionet e gazetave janë të besueshme, por sepse janë publike. Kësisoj janë më të mëdha shanset që të dalin reporterë të interesuar që do të dëshironin t’i vërtetonin. Kjo nuk do të thotë se gëneshtra nuk do të përhapet, si edhe e vërteta, por zakonisht është e vështirë të gënjehet në mënyrë konseguente, në mënyrë të veçantë nëse këtë do të duhet ta bëjnë shumë veta dhe në mënyrë të përsëritur.
Opinioni publik ndihmon, gjë që nuk do të thotë se nuk duhet dyshuar dhe provuar.
Kjo është edhe mbrojtje nga komentatorët, qofshin ata ekspertë apo largpamës. Te ky rasti i fundit të gjithë panë konfliktin mes Amerikës dhe Europës. Disa, natyrisht, në të gjithë këtë shohin edhe gishtërinjtë e Gjermanisë. Ndërsa, me sa mund të merrej vesh nga deklaratat zyrtare, kryesisht ishte e paqartë se çfarë saktësisht dëshirohej të arrihej me këtë takimin në Uashington. Sepse kur u përmend se qëllimi do të duhej të ishte formimi i një zone të lirë ekonomike, ishte e qartë se bëhej fjalë për improvizim.
Përsëri lind pyetja përse u desh e gjitha kjo?
Dhe siç ndodh, ato më pak të besueshmet janë më populloret. Trampit i nevojiten suksese në politikën ndërkombëtare në mënyrë që të fitojë në zgjedhjet e ardhshme. Nëse vetëm shikoni gazetat, e keni të qartë se me çfarë problemesh përballet administrata amerikane. Por a ishte në gjendje t’i errësonte të gjitha këto një marrëveshje eventuale historike mes Serbisë dhe Kosovës, e cila nuk paralajmërohej dhe nuk pritej?
Kjo thjesht nuk ka kuptim, çfarëdo të thotë ndokush.
Siç ndodh përherë me improvizimet, edhe ky i takimit në Amerikë kaloi pa lavdi.
Ndërkohë, njëlloj do të jetë edhe me iluzionet në Bruksel. Asgjë nga të dhënat që janë në dispozicion të të gjithëve nuk thotë gjë për të kundërtën.
*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza