Flash News

KRYESORE

Imzot Gjergj Meta: A jetohet edhe për Atdhe, edhe për fe?

Imzot Gjergj Meta: A jetohet edhe për Atdhe, edhe për fe?

Alfred Lela

Ndërsa debati, shkulmues, për mbulimin (të pafaktuar, por të hamendësuar) të Gjergj Kastriot-Skënderbeut në sheshin me emrin e tij, ngrihej përpjetë më lart se kali i Heroit, një prift katolik shugurohej ipeshkv në Katedralen e Rrëshenit.

Për të kishin marrë rrugët nga Tirana, Durrësi, viset shqiptare në Ballkan, Italia e deri nga Nju Jorku i largët, miq, dashamirë e kolegë. Katedralja ishte e mbushur plot. Oborri gjithashtu. E ndiqnin ceremoninë, nga një ekran i vendosur në hyrje të kishës, të tjerë nga rruga dhe nga ballkonet e shtëpive përreth.

Rrësheni, përndryshe një qytet i vogël dhe pa ndonjë rëndësi eksplicite, është në njëfarë mënyre kryeqyteti i katolicizmit shqiptar. Mirdita, qendër administrative e së cilës është, përbën rastin e rrallë, ku pothuajse e gjithë popullata i përket besimit të krishterë katolik. Në Mirditë nuk ka debate për fenë. Të gjithë bien dakord e përshëndeten në gëzime me 'kjoftë lëvdue Krishti!'.

Këtë qendërsi kujtoi edhe prifti i ri që po shugurohej ipeshkv, atë paradite plot diell bujar të fillimshtatorit 2017. Ai përmendi Formulën e Pagëzimit dhe 'rrënjët e saj mirditore' duke mos harruar të shtonte shqiptarësinë e saj: faktin se ajo nuk ishte, thjesht një 'përbetim në Krishtin', por edhe fjalët e para të shkruara të shqipes.

Në mënyrën e vet, prifti i gjatë i rritur në fshatrat e Durrësit, po kujtonte paraardhësit e tij të klerit të cilët ranë për 'Fe e Atdhe' me shprehjen monumentale 'Rroftë Shqipëria! Rroftë Krishti Mbret!'. Por, edhe një dramë familjare e cila, kur koha kalon, sindozot!, di të kthehet në gëzimin e një tradite të mirë. Tesha që mbante veshur, të cilën e quajti një 'gjë të thjeshtë', ishte kelki i gjyshit të tij prift. 'E mbanim të fshehur në shtëpi gjatë komunizmit', kujtoi ai.

Kështu u paraqit Gjergj Meta mëngjesin e së shtunës, në një katedrale katolike në Veri të Shqipërisë, që gufmonte si lumë i fryrë nga ujrat e pranverës. Nuk është kjo dukë e tij në një ditë, që ia bën të rëndësishëm shugurimin.

Shqipëria ka pasë fatkobin me hjekë keq nga ateistët, e mund ta ketë rastin e vuajtjes edhe nga fetarët. Gjergj Meta duket se e di këtë, qoftë duke qenë shenjë e së kundërtës së kësaj hjeke. Ndërhyrjet e tij në debatin publik nuk ka qenë të pakta në favor të 'uljes së armëve ndërfetare'. Po ashtu, as qëndrimet kundër veseve dhe kundravajtjeve të shoqërisë, që ai i përmendi edhe ditën e shugurimit. 'Jemi një kishë e varfër dhe e vogël dhe kemi nevojë për ndihmë, por nuk pranojmë ndihmë nga ata që kanë trafikuar nëna dhe motra shqiptare, ata që kanë vrarë e prerë, ata që kanë vjedhur', ishte garancia e tij.

Gjergj Meta është një shembull i proselizmit të butë, që vjen si shtysë e brendshme dhe jo si ngacmim i jashtëm, me joshje xhinglash materiale. Ai është dëshmi e një feje, cilësdo fe, që është aty si shenjë, një prej shumë shenjave të njerëzores, një prej mënyrave të të jetuarit.

Aspak e vetmja mënyrë.

Përplasja e para pak ditëve për mbulimin ose jo (secili ka xhiruar filmin e vet në atë ngjarje), nuk ishte mes njerëzve të fesë apo besimtarëve. Qe, në fakt, një përplasje mes ateistëve (atyre që nuk besojnë në Zot). Të krishterët e mirë, dhe muslimanët gjithaq të mirë, qenë pushim atë ditë.

Ateistët kanë fenë e vet, dhe në demonstrim të saj, në mujshari të saj, ata janë kundër çdo feje tjetër.

Hej, është çështje konkurrence bre burra!

Imzot Gjergj Meta, përfaqësuesi i një brezi të ri klerikësh katolikë, është shenja se mund të jetohet edhe për Atdhe, edhe për Fe.

Pa kërkuar ndërkohë vdekjen e askujt!

Të fundit