Flash News

KRYESORE

Infeksionet e veshit të mesëm dhe pasojat nga mostrajtimi

Infeksionet e veshit të mesëm dhe pasojat nga mostrajtimi

Mostrajtimi në kohë i një sëmundje apo edhe mjekimi i gabuar mund të sjellin pasoja të rënda, ndaj është me rëndësi të reagohet në kohë ndaj çdo shenje a simptome.

Një nga problemet e shpeshta janë edhe infeksionet akute të veshit të mesëm, shkaktuar nga baktere të ndryshme që bëhen patogjene, sidomos gjatë stinës së dimrit, virozave stinore dhe kur imuniteti i organizmit bie, duke krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e inflamacioneve respiratore.

Këto infeksione fillojnë me bllokim të veshit dhe dhimbje të forta që e detyrojnë pacientin të paraqitet tek mjeku. Ndërkohë që simptoma të tjera janë edhe temperatura e lartë 38-39 gradë, dhimbja e kokës, ulja e dëgjimit, sekrecionet nga hundët etj.

Infeksioni akut i veshit të mesëm, i njohur ndryshe si otiti akut i veshit të mesëm, është një infeksion i shpeshtë shkaktuar nga baktere të ndryshme që bëhen patogjene gjatë stinës së ftohtë të dimrit kur shfaqen virozat stinore dhe imuniteti i organizmit bie, duke krijuar kushte për inflamacione të sipërme respiratore.

Otiti i mesëm akut prek daullen e veshit dhe hapësirën e veshit të mesëm, ku ndodhen edhe tre kocka të vogla që në formën e një zinxhiri kockor transmetojnë dëgjimin. Në kushte normale, kaviteti timpanik nuk ka lëng, por është i mbushur me ajër, ku presioni është i njëjtë me presionin e ajrit jashtë daulles së veshit, dhe kështu veshi funksionon normalisht. Ajrosja e tij bëhet nëpërmjet hundës, që komunikon me veshin e mesëm nëpërmjet një tubi ajrosës që quhet tubi eustakut. Gjithë problematikat fillojnë kur për një shkak të caktuar ndodh prishja e ajrosjes së veshit të mesëm nga disfunksioni i hundës apo i tubit të eustakut.

Këshilla

Kur jemi me rrufë të shprehur dhe bllokim të fortë hundësh, mirë është të shmangim udhëtimet me avion, udhëtime në male apo zhytjet në pishina. Në këto raste, veshi që është i mbushur me sekrecione nga prishja e balancave të presionit midis veshit të mesëm dhe atij të jashtëm është i prirur për të bërë perforacion spontan.

Nënat e reja të vlerësojnë grindjet e bebave dhe kundërshtimin e pirjes së gjirit nga ata. Me pak fjalë, ndryshimet klimaterike dhe shpërthimin e virozave stinore nuk i kontrollojmë dot, por mund të parandalojmë zhvillimin e një otiti të mesëm akut me çarje daulle dhe komplikacione.

Të fundit