Flash News

KRYESORE

Integrimi i Shqipërisë në BE, ish-ministrja: Hapat e gabuara të Qeverisë

Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha ka renditur një sërë problematikash të Shqipërisë në kuadër të aspiratës së integrimit evropian.

Në një intervistë për gazetën “Standard”, sa i përket mundësisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Gjosha u shpreh; “Shanset janë fare të pakta edhe këtë vit, ku e vetmja mundësi është nëse vendet anëtare do të vendosin pro negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe për arsye të forta gjeopolitike dhe stabiliteti në rajon, do i hapej drita jeshile edhe Shqipërisë”- pohoi Gjosha duke ju referuar vendimit të pritshëm të KE-së në 26 maj.

Po ashtu ish-ministrja komenton edhe zhvillimet brenda vendit, ku sipas saj zgjedhjet e 30 Qershorit nuk mund të kryhen për sa kohë qytetarët janë të papërfaqësuar dhe pa alternativën që ata do të dëshironin të zgjidhnin. “Është absurde për më tej, të diskutohet për zgjedhje lokale, kur ende nuk ka asnjë zgjidhje të problemeve të ngritura nga viti 2017. Kauza e djegies së mandateve është shumë e madhe dhe kërkon trajtim të menjëhershëm që shkon përtej shkundjes së sistemit e deri te ndryshimi i mentalitetit qeverisës në vend.”, nënvizoi ajo.

Pjesë nga intervista:

Çfarë do ndodhë sipas jush në 26 maj?

Nëse do të kryenim një analizë teknike të brendshme të funksionimit të institucioneve, unë mund t’ju them me bindje se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet. Në këndvështrimin e rajonit ne jemi shumë të lidhur me ecurinë e Maqedonisë së Veriut, e cila gjatë vitit të fundit ka bërë një progres të jashtëzakonshëm që nis me reformat, zhvillimin ekonomik dhe arritjen e marreveshjes së Prespës me Greqinë. E vetmja mënyrë që Shqipërisë t’i hapet drita jeshile është pikërisht nëse vendet anëtare do të vendosin pro negociatave të Maqedonisë së Veriut. Kjo për arsye të forta gjeopolitike dhe stabiliteti në rajon por edhe për faktin se nuk mund të imagjinohet që Shqipëria të mbetet pjesë e procesit në grupin e Kosovës dhe Bosnjës. Do të ishte një goditje e madhe për aspiratën tonë europiane.

Si ish-ministre e Integrimit, mund të na specifikoni shkurtazi se cilët kanë qenë në këto dy vite hapat e gabuara të Qeverisë që kanë sjellë stacionimin e vendit në aspiratën e tij evropiane?

Qeveria Rama 2 e nisi qeverisjen me shumë arrogancë, duke shkrirë një pjesë të madhe të ministreve të mëparshme, përfshirë këtu edhe Ministrinë përgjegjëse për procesin e integrimit, sic ishte Ministria e Integrimit Europian. Në atë kohë, ne humbëm shumë kapacitete njerëzore dhe ekspertizë në këtë fushë. E dyta, procesi filloi të drejtohej në nivel zëvendës ministri, gjë e cila uli rëndësinë e procesit në vetvete dhe seriozitetin që ne kishim në nivel përfaqësimi. E treta, vitin që shkoi Këshilli Europian i dha një goditje të rëndë Shqipërisë nëpërmjet konkluzioneve të Qershorit 2018, ku nga 5 kushte, vendit tonë iu paraqitën kushte shtesë që kishin të bënin me zgjedhjet si dhe cështjen e azilkërkuesve. Qeveria Shqiptare, për fat keq, mashtroi qytetarët duke trumbetuar një fitore imagjinare për çeljen e negociatave. Kjo më pas solli një lënie pas dore të të gjithë koordinimit institucional dhe ecurisë së procesit në kuadër të përmbushjes së kushteve. Sot ne përballemi me rënie të shtetit, kolaps të sistemit të drejtësisë, rënie me 9 vende në raportin e Transparency International për korrupsionin, 11 vende më poshtë në raportin e Reporterët pa Kufij për mungesën e medias së lirë! Çështja e krimit organizuar është sot më evidente se kurrë, sepse ky fenomen tashmë ka gjetur rrënjët te politika dhe te nivilet e larta qeverisëse. Fakti që vendi ynë qeveriset nga një parti e vetme, e ka bërë atë të rrëshqasë drejt autokracisë dhe kjo nuk është aspak një qasje që i afrohet vlerave europine. Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, në këto vite ne jemi drejtuar nga një qeveri pa asnjë vizion për politikat ekonomike dhe kjo e ka futur vendin në një krizë të thellë financiare, papunësi të lartë dhe mungesë investimesh. Një vend që synon të çelë negociatat, duhet të dijë t’i bëj ballë konkurencës së tregut, por edhe përshtatjes së politikave fiskale me ato Europiane. Këtu Shqipëria lë shumë për të dëshiruar!

Të fundit