Flash News
Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetarët kërkojnë largimin e Klosit dhe Tavos
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Atentati ndaj avokatit në Memaliaj, vihet në pranga autori, sekuestrohet arma
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Gentian Gaba
Padam, nuk është vetëm titulli i një kënge të të pavdekshmes Edith Piaf. Nuk është as një fjalë me një kuptim të sajën, por një onomatope* që imiton tingujt triumfues të një valsi. Një muzikë që në veshët tanë, dhe të atyre që presin verdiktin e 28 qershorit, tingëllon si gongu që intensifikohet çdo ditë që na afron me mbledhjen e Këshillit Europian, i cili do të diskutojë një sërë çështjesh, përfshirë rekomandimin e çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Padam, Padam, Padam!
Nën kushtrimin e këtij ritmi, mazhoranca po kryen detyrat e fundit për ato pak gjëra që ndodhen ende në duart e saj në këto momente; dhe, në krye të kësaj liste, ndodhet marrëveshja me Greqinë, dhe ajo për pranimin e ngritjes së kampeve të refugjatëve që vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika, në Shqipëri.
Pjesa tjetër e detyrave të shtëpisë, e cila përkon me krimin, drogën dhe mbi të gjitha korrupsionin, përbën një vijë të kuqe që mazhoranca nuk ka kapërcyer dot kurrë. Të gjithë, shqiptarë apo europianë, mund të japin një ilustrim të momenteve ngelëse të mazhorancës duke i bërë apel kujtesës përgjatë dy viteve të fundit. Jo më pak i rëndësishëm është edhe numri i lartë i shqiptarëve që kërkojnë azil në Europë, duke garuar me popuj që lënë vendin e tyre si pasojë e luftrave, dhe, në mungesë së një të ardhmeje të shpejtë europiane, po bëhen europianët e vetes.
Nga këto premisa, rezultati i datës 28 pritet mos të jetë pozitiv për Shqipërinë. Lëshimet që mund të bëjë Rama kundrejt Greqisë, për sa i përket detit, dhe të tjerëve që kërkojnë një një cep për të hedhur refugjatët të cilët kalojnë në trevat tona për të arritur ëndrrën europiane, duket se nuk do të mjaftojnë për të bindur vendet shqiptaro-skeptike (Kujdes, jo euroskeptike!).
Të vetdijshëm për këtë rrezik, mazhoranca, nëpërmjet mediave të oborrit të saj, dhe kasnecëve të ndryshëm që i bëjnë iso mesazhit që duhet përcjellë në opinionin publik, po përgatisin terrenin që “jo-ja” të mos mbërrijë si një shkrepëtimë në një qiell blu të pafurtunë.
Rrokopuja e nisur nga këto media dhe mediume është e thjeshtë për t’u kuptuar; thuhet se vendet antare kanë hallet e tyre prandja nuk do të lejojnë të hapen negociatat; dhe, mbi të gjitha, opozita shqiptare po bënë çmos që të vendos stërkëmbëshin për t’i prishur punë mazhorancës.
Për sa i përket të parës, dhe naiviteti i propagandës që i faturon vendimmarrjen negative problemeve të brendshme të vendeve të BE-së, rrëzohet nga qëndrimi që këto të fundit kanë për Maqedoninë. Shteti ynë fqinj, me emrin e ri, pret të njohë fatin të njëjtën ditë, por, ndryshe nga sa është bërë e ditur mbi fatin tonë deri më tani, për këtë vend, shtetet që nga mediat shqiptare përshkruhen si “euroskeptike”, duket se nuk janë aspak të tilla. Konkretisht Hollanda po bënë gati një “po” për Maqedoninë, dhe një “jo” për Shqipërinë, duke theksuar se kundrejt nesh ka shqetësime serioze për sa i përketë luftës kundër korrupsionit.
Ndërsa, për atë pjesë të faturës që kërkohet t’i ngarkohet opozitës, një nga akuzatorët më të pagjasshëm është Majlinda Bregu. Filipikat e saj kundër Bashës kanë dominuar mediat këtë javë, dhe jo vetëm; veçse, nuk dihet nëse nën petkun e ri të Sekretares së Përgjithshme Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ku do të përfaqësojë të gjithë, edhe liderin e opozitës, apo si shërbimin e fundit, apo parafundit, ndaj atyre që i dhanë këtë post të rëndësishëm.
Megjithatë edhe znj. Bregu bie në një nonsens logjik kur sulmon Bashën për vullnetin e tij cytës ndaj negociatave, dhe, njëkohësisht, për dobësi në lidership; të dyja nuk mund të qëndrojnë! Nëse Basha është një lider i dobët, si mund të pengojë integrimin e vendit? Dhe e kundërta, nëse është një lider që ka aftësi të krijojë një konvergjencë europiane kundër hapjes së negociatave, pse duhet të jetë e pakënaqur nga ish-kryetari i saj znj. Bregu?
Këto janë thjeshtë pyetje retorike, pasi vetëm me retorikë është mbushur kjo pjesë e fundmuajit. E vërteta për Ramën, dhe lajmësit e tij, është shkruar në një fat që nuk zotëruan dot. Në një moment gjeopolitik të favorshëm, me kriza rajonale dhe globale që mund t’i frynin velat e anijes shqiptare drejt ujrave të qeta europiane, mazhoranca i’u lumturua mundësisë së një trajtimi me hatër, më shumë sesa përmbushjes konkrete të kërkesave që vinin nga vendet europiane.
Sot, sikurse ka ndodhur rëndom edhe për probleme të tjera, e ka më të lehtë të hedhë fajin në një ferrë, europiane apo opozitare, sesa në oborrin e saj përherë e më qelibar.
Prandaj, “zemrën e drunjtë” perëndimore, nuk e magjepsin dot as Rama dhe as davoritësit e tij; ‘arti’ i Fugës, këshilltari i Kryeministrit, nuk mund të tejkalojë limitet dhe çudirat që mund të bëjë komunikimi, pasi, pas një farë pike, nuk është më çështje piari, apo propagande, por pune dhe rrezultatesh konkrete dhe të matshme.
Për më tepër, le të presim deri më 28 qershor. Deri atëherë: Padam, Padam, Padam!
*Është fjalë tingull-imituese ose përshkrim i dukurive a i sendeve, duke shfrytëzuar imitimin e zhurmave e te zërave.