Flash News

KRYESORE

Investigimi/ Green Coast, një histori abuzimi

nga Artan Rama/ Porta Vendore

Fadromat punonin poshtë Qafës së Llogorasë, në shpatin jugor të Karaburunit. Në vetëm pak orë, një lisnajë e moçme, prej disa qindra metra katrorë, me gjelbërim të përhershëm, u fshinë, njëherë e përgjithmonë, duke nxjerrë në pah një sipërfaqe shkëmbore me ngjyrë të kuqe. Një hapësirë e gjelbër, afro 1 ha, po shndërrohej në venddepozitim dherash, që do të mbërrinin nga ndërtimi i një megaresorti që ka fituar statusin “Investues Strategjik”; një hektar më shumë, midis qindra të tjerëve, të flijuar, tragjikisht, veçanërisht në këtë dekadë, në emër të privatizimeve, të projekteve energjitike dhe tani, së fundi, ne emër të të projekteve turistike. Rezidenca “Green Coast”, e pozicionuar në portën hyrëse të Rivierës Shqiptare, me sipërfaqe të përgjithshme prej 21 ha, krahas natyrës, po shndërron, përgjithmonë, peizazhin e Luginës së Palasës.

Inxhinierët urdhëruan fadromat që “të pastronin” pyllin në veri të kantierit. Ka mundësi që në atë moment, fadromistët të mos e kenë ditur se kjo ishte ende një ndërhyrje e paautorizuar prej autoriteteve. Imazhet e fotografuara nga sateliti, të regjistruara në Google Earth Pro, tregojnë se sipërfaqja ku po ngrihej venddepozitimi ishte gërmuar qysh në ditët e para të 2020-s, ndërkohë që miratimi për të u dha disa muaj më vonë.

Por kishte edhe diçka tjetër, akoma më të pazakontë: ndërhyrja po bëhej në një zonë me një status të veçantë mbrojtjeje, çka e bënte operacionin e depozitimit të dherave, dy herë të pamundur. Por, siç do të shohim, ndërtimi i këtij venddepozitimi, ende i pamiratuar prej autoriteteve dhe, për më tepër, në brendësi të një territori të mbrojtur, nuk ishte shkelja e vetme.

Dokumentat dëshmojnë për një transaksion komunikimesh, mes grupeve me interesa të ndryshme, që dakortësohen “lehtësisht”, në dëm të pronës publike. Shkëlqimi i të ashtuquajturit investimi më i rëndësishëm turistik, përgjatë bregdetit Jonian, shuhet në gropën e dherave që kompania “Green Coast” ka depozituar brenda një territori të mbrojtur.

Në një vështrim të përgjithshëm, kjo është historia e shkatërrimit të pasurisë së përbashkët, sipas një modeli të njohur, i zbatuar kryesisht në vitet e fundit, prej mungesës së monitorimit, mungesës së kontrollit dhe mosinspektimit institucional.

“Green Coast” ka për investitor “Balfin Group”, një korporatë financiare që bashkon disa kompani, ku përfshihen dhe dy prej qendrave më të mëdha tregtare, QTU dhe TEG.

Në 2014-n, Këshilli i Kombëtar i Territorit (KKT) i dha kompanisë “Green Cost”, të drejtën për të ndërtuar, mbi 500 rezidenca private në Palasë, fillimisht, në një sipërfaqe totale prej 18 ha, si dhe të drejtën e përdorimit, për njëzet vjet, të brigjeve në Plazhin e Dhralesë.

Tre vjet më pas, KKT-ja miratoi një tjetër leje. Kompania fitoi të drejtën për të shtuar edhe nëntë vila të tjera, por dhe një hotel njëqind e njëzet dhomash me pesë yje. Sipërfaqja e truallit u zmadhua me tre hektarë, ndërsa koeficenti i shfrytëzimit për ndërtim, me 30%. Numri i kateve mbi tokë, u rrit me një, ndërsa, nën tokë, deri në tre.  Për shkak të intesitetit të shtuar, volumi i gërmimeve dhe për pasojë, ai i dherave, u zmadhua. Është ky momenti kur “Green Coast” kërkon një zgjidhje për depozitimin e tyre.

Kompania trokiti në Bashkinë e Himarës, përmes një kërkese, e cila, siç dëshmohet, kishte trajtën e një propozimi konkret. “Green Coast” kërkonte të siguronte miratimin në parim për një vend të përkohshëm për hedhjen e dherave dhe se në bashkëpunim me disa ekspertë mjedisi, vetë ajo (kompania) kishte evidentuar një zonë për depozitimin e tyre. Sipas ekspertëve, zona në fjalë ishte konsideruar alternativa më e përshtatshme, referuar kritereve mjedisore, të cilat zvogëlonin ndikimin në mjedis. Kërkesa u shoqërua edhe me hartën topografike të zonës së përzgjedhur. Përgjigjja mbërriti pas tre muajsh: kërkesa ishte miratuar.

Por territori i vlerësuar si “një alternative e përshtatshme”, nuk ndodhej në bashkinë e Himarës. Koordinatat e propozuara nga kompania binin në një tjetër territor, në atë të Vlorës. Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm, përmes Gjeoportalit Kombëtar të të Dhënave (ASIG). Bashkia e Himarës, si çdo bashki tjetër, nuk mund të vendosë për territore të tjera, të cilat ndodhen jashtë juridiksionit të saj. Por kjo “ngatërresë” kaloi në heshtje.

Tani për kompaninë ekzistonte vetëm një shqetësim:  43,000 minerte duhej të depozitoheshin diku dhe natyrisht, me një kosto sa më të ulët.

Përvijimi i mëtejshëm i procedurës kërkonte përfshirjen e një autoriteti tjetër. Ky ishte “Agjencia Kombëtare e Mjedisit” (AKM). AKM-ja duhej të miratonte raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), një dokument ekspertësh, i komisionuar nga kompania (Porositësi), që vlerësonte ndikimet e pritshme në mjedis, gjatë zbatimit të projektit. Pa këtë raport, operacioni i depozitimit nuk mund të fillonte. Kompania s’mund të lëvizte asnjë metër kub dhe.

“Green Coast” kontraktoi “EMC Studio”, ekspertët e së cilës, hartuan raportin. Por “EMC Studio” bëri të njëjtin gabim, duke e rivlerësuar si territor të Himarës. Diku në raport, midis rreshtave, shkruhej një pohim i mjegullt: harta e re u përkiste dy njësive të ndryshme administrative, çka nënkuptonte një ndarje mes Vlorës dhe Himarës. Por edhe ky ishte një vlerësim i gabuar.

Sidoqoftë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit kishte kapacitetin dhe mundësinë për kuptuar se koordinatat e referuara, nuk ndodheshin në Himarë, por në Vlorë. Kësisoj, miratimi fillestar, nga ana e Himarës, sado dashamirës, do të konsiderohej i pavlefshëm. Por jo! As AKM-ja nuk e pikasi këtë “ngatërresë. Ajo anashkaloi disa procedura, shpërfilli një numër dokumentash dhe autoritetesh, për të cilat, ligjërisht, kishte detyrimin për t’i respektuar e për t’i zbatuar, gjë e cila bëri që “gafa” me koordinatat të kalonte, përsëri në heshtje.

Në 2015-n, qeveria miratoi rregullat dhe përgjegjësitë për zhvillimin e procedurës së VNM-së. Dokumenti synonte përafrimin e plotë të Direktivës së Parlamentit Europian lidhur me ndikimin e projekteve publike dhe private në mjedis. Fjala është për Vendimin Nr. 686, (2015), “Për miratimin e procedurës së VNM-së”. Vendimi detyron AKM që, përpara vendimmarrjes, të kërkojë mendimin e agjencive rajonale mjedisore në qarkun ku propozohet të zbatohet projekti. Procedura ndihmon, së pari, për të verifikuar, drejtpërdrejt në terren, të dhënat fiziko-gjeografike të projekteve të propozuara. Ne i kërkuam Agjencisë (AKM) të dhëna lidhur me zbatimin e kësaj procedure. Por AKM-ja pranoi se nuk ishte kryer asnjë verifikim lidhur me vendndodhjen e projektit.

AKM-ja shkoi më tej, duke anashkaluar dhe një procedurë tjetër: konsultimin publik.

Vendimi Nr. 247, (2014), “Për përcaktimin e rregullave dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen mjedisore”, detyron Agjencinë të informojë dhe të konsultohet me publikun, përmes publikimit të projektit të paraqitur nga zhvilluesi, në web-in zyrtar të Agjencisë për 20 ditë rresht. Edhe në këtë rast, AKM-ja nuk publikoi asgjë.

Në fund, shpërfillja e AKM-së devijoi në një drejtim të ri: në planifikimin e territorit.

Duke “ngatërruar” njësitë administrative, përmes të njëjtave koordinata gjeografike, AKM çrregulloi një prej funksioneve bazë të “Vetqeverisjes Vendore”: rolin e bashkive në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike. Vendimi Nr. 575, (2015), “Për miratimin e kërkesave për miratimin e mbetjeve inerte” u jep të drejtë njësive të qeverisjes vendore për të caktuar venddepozitimet për mbetjet inerte. Nëse AKM-ja do të kishte saktësuar koordinatat e venddepozitimit, do të ishte bashkia e Vlorës përgjegjëse për caktimin e një territori për depozitimin e dherave, por jo Himara. Bashkia e Vlorës nuk u pyet kurrë. Por ky veprim, pra, vendosja e bashkisë së Vlorës përpara ‘faktit të kryer’, nuk e pengon këtë të fundit nga e drejta për të reaguar. Ne e njoftuam bashkinë e Vlorës për këtë ‘grabitje territori’, por ajo nuk reagoi.

Por zona e përzgjedhur në raportin e EMC Studio, si më e mira për të depozituar dherat, e njëjta, për të cilën, bashkia e Himarës dhe kompania “Green Coast” ishin dakortësuar qysh përpara, ishte pjesë e Rrjetit të Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë. Territori ishte klasifikuar si Rezervat natyror i menaxhuar/park natyror (kategoria IV) dhe Ligji 81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura”, ndalonte depozitimin e mbetjeve për të gjtha kategoritë e zonave të mbrojtura, përfshirë edhe nënzonat me shkallë të ulët mbrojtjeje.

Pengesa dukej e pakalueshme, por AKM-ja nuk u ndal! Ajo kërkoi mendimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, ndonëse ishte e panevojshme dhe jo e rregullt prej saj, pasi jo vetëm Ligji “Për Zonat e Mbrojtura”, por edhe Vendimi Nr. 575, (2015), “Për miratimin e kërkesave për miratimin e mbetjeve inerte”, në pikën 17, e ndalonte ndërtimin e vendepozitimeve të përkohshme të mbetjeve inerte pranë zonave të mbrojtura. Vendimmarrja e AKM-s mund të jetë e ndryshme nga opinionet e institucioneve të konsultuara, por, në të gjitha rastet, duhet të mbetet e ligjshme. Në fakt, ndodhi e kundërta. Siç nuk pritej, AKZM-ja vendosi në favor! Ajo shprehu dakortësinë për t’i mundësur kompanisë shfrytëzimin e venddepozitimit të dherave brenda kufijve të zonave të mbrojtura. Dhe AKM-ja u mbështet në këtë dakortësi.

 

Të fundit