Irani akuzon SHBA-në për presion ekonomik

Irani ka akuzuar presidentin e SHBA-së Donald Trump se po përshkallëzon presionin ekonomik kundër qytetarëve iranianë, duke urdhëruar rritje të sanksioneve ndaj Republikës Islamike.

Akuza u bë nga Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, ai e ka konsideruar vendimin për rritje të sanksioneve si terrorizëm ekonomik, ilegal dhe jonjerëzor.

“Ndalni luftën dhe terrorin”, ka thënë ndër të tjera ai.

Trump urdhëroi Sekretarin amerikan të Thesarit, Steven Mnuchin për të “shtuar sanksionet” e vendosura ndaj Iranit, në kohën e përshkallëzimit të tensioneve në mes të Uashingtonit dhe Teheranit.

Ai nuk ofroi detaje për marrjen e këtij vendimi, që vjen pas sulmeve të fundjavës në disa rafineri të naftës në Arabinë Saudite. Zyrtarët amerikanë kanë fajësuar Iranin për kryerjen e sulmeve, por këta të fundit i kanë mohuar akuzat.