Ish-deputetë të opozitës në mbështetje të banorëve të Astirit: Rama si Millosheviç për disa miliona më shumë

Ish- deputetë të opozitës jashtë parlamentare kanë shkuar në mbështetje të banorëve të Astirit, të cilët sot kanë kundërshtuar aksionin e IKMT e për pasojë janë përplasur edhe me policinë.

Ish deputeti Edi Paloka tha se PD në qeveri do të kompensojë banorët e prekur me vlerën reale të tregut.

“Dhunën dhe terrorin e ushtruar ndaj tyre nuk ka kompensim që mund ta dëmshpërblejë, veçse dita kur prangat të vihen në duart e Ramës dhe Veliajt. Ata po e bëjnë këtë shkatërrim, këtë dhunë dhe terror vetëm për të futur disa miliona euro më shumë në xhepat e tyre të qelbur. Projekti i Unazës është kapur në dhjetëra shkelje, falsifikime dhe akte korruptive. Këtu jemi ne dhe përballë kemi serbë. Kemi dashnorin e Vuçiçit që e patë që u puth me të, ju thashë erdhi këtu të sulmojë shqiptarët dhe serbët që janë në shërbim të tij”, tha Paloka.

Ish deputeti tjetër i PD, Klevis Balliu tha se qeveria po shkel Konventën për të Drejtat e Njeriut duke larguar me dhunë banorët nga shtëpitë e tyre pa asnjë dialog me ta.

“ Është hera e parë në histori që disa qytetarë të thjeshtë mbizotëruan mbi pushtetin e krimit dhe të bandave dhe politikanëve të korruptuar kundër vjedhjes së 40 milionë eurove. Edi Rama nuk ua fali kurrë dhe kjo ishte përgjigjja e tij ndaj tyre të cilët ia çorrën maskën për të treguar se kush janë Edi Rama dhe Erjon Veliaj në realitet. Edi Rama nuk ka më pushtet me të gjithë organizatën e tij të rilindjes”, theksoi Balliu.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari në prononcim për Fax Neës nga Unaza e Re tha se është e pa precedentë ajo që po ndodh te Unaza e Re.

Sipas tij, është e njëjta skemë si te Bulevardi i Ri, pasi policët kanë ardhur në 5 të mëngjesit, kanë hedhur gazlotsjellës dhe po shembin shtëpitë

“Jo vetëm kjo por kanë rrethuar të gjithë zonën me policë nga e gjithë Shqipëria, duke bllokuar dhe banorët duke mos i lejuar të dalin nga shtëpitë, duke bllokuar dhe fëmijët e vegjël duke mos i lejuar të shkojnë në shkollë, duke bllokuar gra dhe zonja që duan të shkojnë në spital sepse janë të sëmurë. Sapo takova një zonjë e cila do të shkojë në spital me njerëzit e vet, ajo s’ka lidhje me banorët është thjesht kalimtare, por nuk e lë policia të kalojë. Ajo çpo ndodh këtu është me porosi të Edi Ramës”, tha ish deputeti i LSI.