Ish-deputetja e PS: Basha i mbylli ‘dosjet’ kur kishte bashkinë, Rama-Berishës kur mori kryeministrinë

Ish-deputetja dhe ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade ka hedhur akuza të rënda ndaj liderëve të politikës së sotme.

Sipas ish deputetes, në emisionin “Arena” në Rtv Ora, palët kanë mbyllur dosjet e njëra-tjetrës në çdo rokadë pushteti në nivel lokal dhe atë qendror.

“Njerëzit që e mbështetën fillimisht kishin të bënin me pak interesa lidhur me pozitën e tij si kryetar bashkie. Nuk dua të kthehem  për çfarë është akuzuara. Duke qenë se kam qenë atje, kam qenë pjesë dhe shumë gjëra dhe nuk i besoja. Fakti që kur vajti Lulzim Basha në bashki i mbylli të gjitha akuzat që bëheshin kundrejt ish-kryetarit të bashkisë, dhe Edi Rama ka qëndruar në bashki 11 vjet. Dhe fakti që kur vajti Rama në zyrën e Berishës i mbylli të gjithë akuzat që ne bënim 8 vjet në parlament përfshirë 21 janarin tregon që këtu ka një çështje morale, ti mos më ngacmo mua dhe unë nuk të ngacmoj ty.

Është kultura e pandëshkueshmërisë që ka mbajtur Shqipërinë larg BE, përveç konfliktualitetit politik. Politika ka mbetur në qerthurin e zhbërjes dhe zvetnisë morale, asnjë nga forcat politike nuk jep shpresë dhe llogari për atë çfarë ka premtuar”, thotë Dade.