Ish-diplomati skeptik për Gent Cakajn: Kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria drejt dështimit

Ish-ambasadori dhe ekspert i çështjeve ndërkombëtare, Fatos Tarifa është shprehur skeptik ndaj udhëheqjes së diplomacisë nga Gent Cakaj.

I ftuar në A2CNN, Tarifa ka komentuar edhe çështjen e kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020.

Pas kritikave të Këshilltarit të Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand për VOA pak ditë më parë, Tarifa mendon se dyshimet e amerikanëve janë të bazuara, sidomos pas largimit nga Ministria e Jashtme e një figure të njohur si ajo e Ditmir Bushatit.

“Bushati ka qenë një nga ministrat tanë më të mirë. Me largimin  e tij nga pozicioni i drejtuesit të qarkut Shkodër, Partia Socialiste humbet shumë. Është politikan i ri dhe i talentuar, dhe në krye të diplomacisë ai ishte figurë shumë e respektuar dhe serioze, me imagjinatë diplomatike më të zgjeruar sesa personi që e drejton tani me funksionin e zëvendës ministrit”, thotë ai.

Tarifa tregohet mjaft kritik dhe skeptik ndaj udhëheqjes së diplomacisë nga Gent Cakaj, emërimi i të cilit sipas tij “është një gabim i madh”. Atë e shqetëson në veçanti çështja e drejtimit të një organizate prestigjioze por edhe problematike si OSBE nga pala shqiptare, që do të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm.

“Të jesh “chairman”, pra në krye të  një organizate me 57 anëtarë me Cakajn, do të thotë që Shqipëria shkon drejt një dështimi. Është një rast që i jepet vendit tonë për të parë çfarë mund të bëj në arenën ndërkombëtare. Të drejtosh OSBE është një barrë shumë e rëndë që zoti Cakaj nuk mund ta përballojë dot. Duke parë edhe diplomatët tanë në Vjenë, shumë pak të trajnuar dhe pa eksperiencë, gjasat nuk janë shumë pozitive. Dëgjova një fjalë që Cakaj mbajti në Vjenë, ishte një amalgamë frazash, shumë herë jashtë kontekstit”, thotë ish ambasadori shqiptar në SHBA.