Ish-ministri britanik: Greqia të njohë Kosovën, ndihmon rajonin dhe veten

Denis MacShane, ish-ministër Shteti për Evropën në Britaninë e Madhe, në një koment të publikuar në gazetën greke ‘Kathimerini’, thotë se Angela Merkel dhe Emmanuel Macron i kanë mbyllur derën e Bashkimit Evropian për të paktën 10 vite të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas MacShane, brenda BE-së është Greqia shteti që dëmtohet më shumë nga ky vendim i Gjermanisë dhe Francës, për shkak se do të pengohet rritja dhe zhvillimi i fqinjve të saj veriorë.

“Këtë javë në Berlin, liderët e Gjermanisë dhe Francës, me një vendim të pamenduar dhe dritë-shkurtër, njoftuan se ambicia e Ballkanit Perëndimor për Evropën do të refuzohet për të paktën 5-10 vite të tjera… Kjo lëvizje është jashtëzakonisht e dëmshme për Greqinë, e cila do të ishte përfituesja kryesore e investimeve të BE-së në fqinjët e saj veriorë”, shkruan eksperti britanik.

Por ish-ministri MacShane thekson se ka një mënyrë se si Athina mund të ndikojë për zhvillimin pozitiv të rajonit dhe kjo lidhet me çështjen e Kosovës. Ai thotë se Greqia mund të ndihmojë Ballkanin Perëndimor duke pranuar pavarësinë e Kosovës.

“Njëzet vjet pasi demokracitë evropiane intervenuan për të ndaluar masakrat dhe spastrimin etnik në Kosovë dhe një paqe e jo e lehtë u vendos pas dhjetëvjeçarit të luftës dhe terrorit të Sllobodan Millosheviçit në rajon, Kosova ende është duke u dënuar, sepse Serbia nuk mund ta pranojë, që ashtu si Greqia pas sundimit otoman, Kosova është shtet i pavarur…  Çfarë Macron dhe Merkel kanë bërë është se i kanë mohuar 19 milionë evropianëve çdo shpresë. Dhe pa shpresë, më e keqja gjithmonë ngrihet në sipërfaqe. Serbia mund të zgjedhë të jetë një satelit i ri i Kremlinit në Europën juglindore, por kjo nuk ka pse ndëshkon Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi apo Kosovën. Të paktën, siç rekomandoi Iniciativa Evropiane e Stabilitetit këtë javë, BE duhet të lejojë udhëtimin pa viza për kosovarët dhe të mbështesë hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës. Greqia mund të ndihmojë duke njohur Kosovën, ashtu si edhe Spanja, Rumania dhe Sllovakia”, shkruan Denis MacShane në ‘Kathimerini’.

MacShane thekson se të presësh që Ballkani Perëndimor të bëhet si Zvicra apo Suedia nuk është një politikë serioze. Duke e konsideruar vendimin e boshtit Berlin-Paris si një mbyllje dere për shtetet e varfra të këtij rajoni, ish-ministri britanik thotë se as Greqia nuk do të ketë mundësi të ndërtojë rrugë nga deti Egje në Alpe, për të krijuar më shumë investimeve dhe vende pune për ekonominë e saj.