Ish ministri i Jashtëm bullgar: Pas vetos së Macron-it, Putin ka hapur shampanjën

Ish ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë Solomon Pasi e shikon si një gabim të rëndë vendimin e presidentit francez Emmanuel Macron për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.  Frika e tij është se shtyrja e radhës, e treta deri më tani, i shtyn të dyja shtetet ballkanike drejt fuqive të tjera si Rusia, Turqia dhe Irani.

“Pas vetos së presidentit francez, Emmanuel Makron, homologu i tij rus, Vladimir Putin, duhet të ketë porositur një gotë shampanjë”, tha pasi.

“Vetëm kujtoni atë që bëri presidenti Putin për të parandaluar Maqedoninë në rrugën e saj drejt NATO-s”, vazhdoi ai.

Ish ministri Pasi tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut një ditë do të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, por nuk e di se sa kohë do të duhet për këtë.

“Tani po bëhen përpjekje serioze që Serbia të mbetet në sferën e ndikimit rus. Çfarë mund të bëjmë me Macron-in dhe vendimin e tij joracional? Mendoj se ministrja e Jashtme (e Bullgarisë), Ekaterina Zaharieva, mund ta bindë atë ta ndryshojë mendimin”, shtoi ai.

Për ish ministrin e Jashtëm, Bullgarisë i intereson që Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova të mos bëjnë hapa prapa.