Ish-presidenti kujton 21 janarin: Edi Rama bëri aktin e papranueshëm, braktisi protestën

Bamir Topi, ish-President, ka botuar para pak ditësh librin me kujtime “Nokturn” (UET Press), ku rrëfen jetën e tij politike. Një prej kapitujve ia kushton 21 janarit 2011, kohë kur ai ishte në zyrë si President i Republikës dhe përjetonte një marrdhënie të vështirë politike, si me Ramën ashtu dhe me Berishën, pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 që ia kishin reduktuar kompetencat presidenciale.

Topi ndalet te dinamika e 21 janarit dhe e quan të papranueshëm për ‘rregullin e politikës dhe demokracisë’ momentin kur Edi Rama që e kishte thirrur protestën, e braktisi atë.

Fragment nga libri Nokturn i Bamir Topit

21 Janari gdhiu i zymtë, me një parandjenjë që të mbyste shpirtin, për më tepër duke parë organizimin orë pas ore, a thua se ishte vendosur nga palët që do të përplaseshin në hapësirën para Kryeministrisë e Kuvendit dhe kjo do të transmetohej “live” nga komentatorët si në një ndeshje boksi, ku pjesa VIP e analistëve politikë e gazetarë do ta ndiqnin nga kafenetë e kullave, nën avujt e alkoolit.

Më shumë se kujdesi i policisë për të kufizuar trafikun në bulevard, ishte një lloj intuite e banorëve të Tiranës, të “stërvitur” tashmë me pragngjarje të tilla, duke braktisur me dëshirë qarkullimin me makina në bulevard. Kishte këmbësorë që përshkonin hapësirat e rrugës kryesore të Tiranës për hallet e tyre, por edhe kureshtarë, besoj, për vigjiljen e një demonstrate që parashikohej e dhunshme. Më informuan që kishin mbërritur autobusët nga rrethet në pika të ndryshme të qytetit.

Në sheshin e stadiumit “Qemal Stafa”, fare pranë Presidencës, ishin parkuar më shumë se 10 autobusë nga jugu i Shqipërisë. Opozita politike, mesa duket, e kishte planifikuar hyrjen e njerëzve nga drejtime të ndryshme të bulevardit për ta filluar tubimin me fjalimet në orën 14:00, midis Kryeministrisë dhe zyrave të Kuvendit të Shqipërisë. Njerëzit kishin ngritur lart banderolat me sharje për Berishën, për qeverinë, ndërkohë që policia ishte rreshtuar me forca të shumta te trotuari para Kryeministrisë. Te ndërtesat që shikonin nga bulevardi, mbi tarracat e tyre, dalloheshin ushtarë dhe disa snajperë. Të gjithë e ndjenin se diçka e rëndë do të ndodhte.

Personalisht po e ndiqja minutë pas minute duke u konsultuar me këshilltarët e mi, drejtuesit kryesorë të agjencive të zbatimit të ligjit dhe miq të botës mediatike, për të marrë sa më shumë informacion. Ora e protestës po vinte. Të gjithë po niseshin nga sheshi “Skënderbej” dhe selia e Partisë Socialiste ku shquhej dhe lideri i tyre, i gjatë në shtat, koka e të cilit dallohej mbi të tjerët.

Edi Rama dhe politikanë të lartë të opozitës po shkonin drejt “teatrit” absurd të përplasjes me çdo kusht me policinë, që ishte në detyrë dhe në sjellje tepër korrekte, gati-gati me inferioritet, për shkak edhe të një eksperience të shkuar, ku pjesa që kritikohej më shumë ishte sjellja e policisë.

Kur turma e protestuesve u vendos para policëve që mbronin Kryeministrinë, papritur ndodhi një gjë e rëndë e papranueshme për rregullin e politikës e demokracisë. Lideri politik i protestës dhe të tjerët u tërhoqën nga drejtimi duke e dekapituar protestën politike, që parashikon fjalime dhe thirrje, për t’ia lënë hapësirën dhe aksionin një grupi njerëzish të pajisur me hunj në një përleshje të shëmtuar me forcat e policisë, pamjet e së cilës i qëndrojnë memories së vendit si një nga shfaqjet më të dhunshme e të shëmtuara të epokës së tranzicionit demokratik.

Ky episod i largimit nga drejtimi i Edi Ramës menjëherë më kujtoi 14 shtatorin e 1998, kur pas fjalimit në sheshin “Skënderbej”, arkivoli me trupin e Azem Hajdarit do të shkonte te Kryeministria, ndërsa Sali Berisha do të strukej në zyrën e tij, duke ndjekur pamjet nga televizori, si për të thënë që jam “dorëjashtë”. Kishte qenë e turpshme, por e vërtetë.