Flash News

KRYESORE

Ismail Kadare nderohet me çmimin Pak Kyong-ni në Korenë e Jugut

Ismail Kadare nderohet me çmimin Pak Kyong-ni në Korenë e Jugut

Ismail Kadare u nderua në Seul të Koresë së Jugut me çmimin prestigjioz Pak Kyong-ni për vitin 2019. Çmimi do t’i dorëzohet shkrimtarit 83 vjeçar më 26 tetor në qytetin Wonju me një ceremoni të veçantë. Ky është çmimi i vetëm ndërkombëtar letrar që Koreja e Jugut u jep shkrimtarëve.

Në Qendrën e Shtypit në Seul, Ismail Kadare u tregoi gazetarëve koreano-jugorë për Shqipërinë.

“Ka qenë një ndër vendet më të izoluara në Evropë, një vend komunist nën diktaturë. Por, Tiranën e ndan vetëm një distancë e shkurtër nga Italia dhe njerëzit mund ta ndienin ndikimin e botës Perëndimore. E megjithatë, ata bënin sikur një ndikim i tillë nuk ekzistonte. Ishte e ndaluar të flisje se sa afër ishte bota perëndimore.

Shumica e shkrimtarëve në atë kohë ishin të censuruar nga qeveria. Në Kushtetutë thuhej se nuk mund të shprehje mendime nëse ato ishin kundër regjimit. Shumë nga shkrimtarët ishin në situata të rrezikshme dhe disa u burgosën. Jeta ime është e vetëm njëra nga ato mijëra raste," tha shkrimtari Kadare.

Shkrimtari shqiptar foli edhe për fituesin e Nobelit në letërsi për vitin 2019, Peter Handke, mbështetës i “kasapit të Ballkanit” Sllobodan Millosheviç.

"E njoh personalisht Handke-n dhe kam ngrënë drekë me të disa herë. Mendoj se ekziston një vijë që letërsia nuk duhet ta kalojë, por Handke e kaloi atë. Vrasja nuk duhet të pranohet nën asnjë rrethanë,” tha Kadare.

Të fundit