Itali/ Ish ambasadori i BE-së në Tiranë emërohet shefi i kabinetit të ministrit të ri të Jashtëm

Një emërim i bërë shumë shpejt. Luigi Di Maio-s nuk i mjaftoi  as koha për t’u ambientuar në Farnesina, pasi ministri i ri i Jashtëm i Italisë, zgjodhi shefin e kabinetit, një figurë me mjaft rëndësi në këtë strukturë.  Do të jetë Ettore Francesco Sequi, 63 vjeç, ambasadori aktual në Pekin, figurë e njohur në Tiranë.

Sequi ka ushtruar detyrën e ambasadorit të Bashkimit Evropian në vendin tonë (2010-2014).

Por Sequi ka qenë edhe më herët në Tiranë, në rolin e këshilltarit në ambasadën italiane (2000-2004).

Ai është një dashamirës i popullit shqiptar, ndërkohë që si ambasador i BE-së ka luajtur rolin tij vendimtar në momentet vendimtare në vend.

Prania e tij si shef i kabinetit të ministrit të jashtëm Italisë, pritet të përmirësojë edhe më shumë marrëdhëniet italo-shqiptare.

Duhet than se marrja e kësaj detyre në Itali nga mediet italiane konsiderohet si diçka e papritur. Por Sequi konsiderohet një diplomat me mjaft kompetencë dhe do të ndihmojë shumë në mbajtjen e balancave në këtë qeveri pa shumë eksperiencë, shkruan gazeta italiane “La Repubblica”.