Itali, rritet përsëri numri i viktimave nga COVID-19

Italia vijon të përballet me shifra të larta të personave që humbin jetën nga koronavirusi. Në 24 orët e fundit u shënuan 602 viktima nga COVID-19, duke pësuar një rritje me gati 40 viktima më shumë se një ditë më parë.

Ndërkohë, numri total i personave që kanë humbur jetën nga virusi arriti shifrën 21.064 shtetas. Megjithatë, në dy rajone të Italisë, Basilicata dhe Molise nuk u shënua asnjë rast i ri infektuar të martën, ndërsa në Umbria rezultoi vetëm një person pozitiv.

Lajm tjetër pozitiv është fakti se në kujdesin intensive në spitalet italiane vijon të bjerë numri i personave që trajtohen në këto reparte. Aktualisht janë duke u trajtuar 3186 pacientë, ose 74 më pak se një ditë më parë.

Ndërkohë në spital janë duke u kuruar në total 28.011 pacientë. Numri i personave të shëruar ka shkuar në 37.130 persona, 1695 pacientë të shëruar në 24 orët e fundit. Në 24 orët e fundit janë shënuar 2972 raste të reja pozitivë me koronavirus.