Flash News

KRYESORE

Italia në telashe, arsyet pse bota duhet të ndihet e shqetësuar

Italia në telashe, arsyet pse bota duhet të ndihet e shqetësuar

Bashkimi Europian ka vlerësuar buxhetin italian me një notë të ulët. Bonot italiane po goditen në tregjet financiare dhe tregtarët e bonove dhe politikanët europianë duhet të shqetësohen për gjëra të tilla. Por, a duhet t’i shqetësojë kjo qytetarët italianë dhe pjesën tjetër të botës?

Për fat të keq, po. Mund të ketë pasoja të tmerrshme kur normat e interesit dhe investitorët humbin besimin në aftësinë e një vendi për të paguar borxhet e tij.

Kjo është ajo që po ndodh. Të premten, Shërbimi i Investitorëve të Moody's uli vlerësimin e borxhit italian me vetëm një notë mbi nivelin ku nuk do të konsiderohej më vend i sigurt investimi.

Në dritën e tensioneve midis qeverisë populiste të Italisë dhe Komisionit Europian, ka mundësi që Standard & Poor's të ndjekë vlerësimin e Moody-t, duke bërë presion mbi dy agjencitë e tjera kryesore Fitch dhe DBRS që të bëjnë të njëjtën gjë.

Italisë ndoshta mund t’i kenë mbetur edhe disa muaj për të shmangur pasojat e rënda. Kjo mund ta nxisë për të bërë kompromis me Brukselin, ose ndoshta planet e qeverisë për shpenzimet do të sfidojnë parashikimet dhe siç është premtuar, mund të ringjallë ekonominë. Por nëse Italia do të pësonte një ulje tjetër, mund të pasojnë reaksione zinxhir që do të ishin të vështira për qeveritë dhe bankat qendrore.

Një vështrim se çfarë mund të ndodhë në rastin më të keq:

  • Bankat italiane fillojnë të dobësohen

Huadhënësit e mëdhenj të Italisë kanë marrë një goditje gjatë 10 viteve të fundit dhe tashmë janë në gjendje të dobët. Të gjithë kanë depozita të mëdha të obligacioneve të qeverisë italiane. Nëse ky borxh humbet vlerën, siç do të ishte pas rëniës së ekonomisë, bankat do të pësojnë humbje, duke e ulur kapitalin e tyre.

Bankat pastaj mund të humbasin besimin e tregjeve financiare, pasi investitorët shqetësohen për aftësinë paguese të tyre. Të gjitha bankat varen nga një rrjedhë konstante e parave të huazuara që ua japin klientëve ose i përdorin për të zëvendësuar borxhet. Nëse kjo shtyllë e parave pëson krizë, bankat mund të hyjnë shpejt në telashe. Kjo ndodhi në masë në bankat në Europë dhe Shtetet e Bashkuara gjatë krizës financiare të vitit 2008.

Kur bankat në Eurozonë shmangen nga tregu, ato mund të kthehen drejt Bankës Qendrore Europiane, por kjo ngre një çështje tjetër.

  • Banka Qendrore Europiane heq mbështetjen

Bankat e Eurozonës mund të huazojnë aq sa duan nga banka qendrore me interes zero, por ka një kleçkë. Ato duhet të vendosin kolateral. Një nga format më të zakonshme të kolateralit janë obligacionet qeveritare.

Nëse këto obligacione janë cilësuar pa vlerë nga të katër agjencitë e vlerësimit, Banka Qendrore Europiane nuk i pranon ato. Kjo ndodhi me bankat në Greqi, duke kontribuar në vështirësi të rënda ekonomike.

Bankat mund të investojnë kolateral të tjerë, siç janë obligacionet nga vendet e tjera apo borxhi i korporatave. Por përvoja tregon se bankat në vështirësi zakonisht nuk i mbajnë dot  asetet e tjera. Ato ende mund të huazojnë para nga banka qendrore, por me norma interesi më të larta, duke i vënë në një disavantazh konkurrues.

Banka Qendrore Europiane ka një program të veçantë që do të lejonte që të blinte bono italiane në tregun e hapur, duke ndihmuar në uljen e kostove të huamarrjes së vendit. Por Italia do të kualifikohej vetëm nëse do të pajtohej me kushte që me siguri do të përfshinin kufijtë e shpenzimeve, gjë që qeveria populiste me shumë mundësi nuk do ta pranojë.

  • Italia mund të pësojë rënie të kredive dhe recension

Problemet e bankës bëhen probleme në jetën e përditshme, sepse bizneset dhe konsumatorët nuk do mund të marrin më kredi. Ata shpenzojnë më pak dhe rritja ekonomike zvogëlohet. Në rastin e Italisë, qeveria e mbingarkuar nuk do të jetë në gjendje të paguajë për shpëtimet e bankës. (Një nga arsyet pse Italia është në kaq shumë borxhe, në radhë të parë është se tashmë ka shpenzuar shuma të mëdha për të shpëtuar bankat e saj).

Kur njerëzit shpenzojnë dhe fitojnë më pak, ata paguajnë më pak taksa. Të ardhurat e qeverisë bien, aftësia e Romës për të bërë pagesa të borxhit ulet dhe fillon një cikël vicioz që është vështirë të ndalet në kufijtë e vendit.

  • Rënia ekonomike e Italisë mund të ndikojë në gjithë botën

Midis ekonomistëve ekziston një debat nëse Italia mund të provokojë një tjetër krizë të madhe financiare. Disa ekspertë argumentojnë se sistemi financiar është forcuar që nga viti 2010, kur problemet e borxhit të Greqisë gati shkatërruan Eurozonën.

"Bërthama e sistemit financiar është shumë më elastike se përpara krizës financiare globale, me kapital të fortë bankar dhe me likuiditet", thekson Bordi i Stabilitetit Financiar, një grup bankierësh qendrorë, rregullatorësh dhe zyrtarësh qeveritarë.

Bankat ose fondet e investimeve jashtë Italisë mund të kenë obligacione qeveritare italiane dhe mund të pësojnë humbje. Rreziku më i madh mund të jetë diçka që shumica e njerëzve nuk e kanë konsideruar ende. Bankierët gjithmonë shpikin mënyra të reja për të fituar para, duke krijuar kërcënime të reja financiare. Anëtarët e Bordit të Stabilitetit Financiar paralajmëruan gjithashtu për rreziqet e të ashtuquajturit bankë hije.

Përkthyer nga 'The New York Times'

Të fundit