Izolimi rrit dhunën brenda familjes, OKB: Për shumë gra dhe vajza, kërcënimi është më i madh atje ku duhet të jenë më të sigurta

Disa shtete në botë kanë raportuar rritje të rasteve të dhunës brenda familjes në javët e fundit, si pasojë e izolimeve që ka shkaktuar shpërthimi i koronavirusit.

Lidhur me ketë fakt, Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje qeverive që të veprojnë kundër këtij fenomeni.

“Për shumë gra dhe vajza, kërcënimi është më i madh atje ku duhet të jenë më të sigurta: në shtëpitë e tyre”, tha Guterres.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se, që nga shpërthimi i koronavirusit në fillim të vitit, abuzimet në familje janë dyfishuar në vendet si Libani dhe Malajzia, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në Kinë, kjo shifër është trefishuar.

Guterres tha se abuzimi është rritur si pasojë e streseve ekonomike dhe sociale që ka sjellë situata e krijuar me koronavirus.

“Së bashku, ne mundemi dhe duhet ta parandalojmë dhunën kudo, nga zonat e luftës deri te shtëpitë e njerëzve”, tha Guterres.

Për të frenuar përhapjen e koronavirusit shumë vende janë izoluar, duke mbyllur apo zvogëluar aktivitetin e kompanive të prodhimit.

Burimi: Radio Europa e Lirë