Izraeli ‘zyrtarizohet’ si shtet-komb hebre. Ligji i ri i kthen arabët në qytetarë të dorës së dytë

Parlamenti izraelit (Knesset) miratoi projekt-ligjin me të cilin Izraeli përcaktohet si shtet-komb hebre.

Me 62 vota ‘për’ dhe 55 ‘kundër’, Knesset miratoi projekt-ligjin që nxiti polemika dhe kritika të mëdha në rajon.

Opozita izraelite kundërshton projekt-ligjin në fjalë, ndërsa deputetët arabë në parlament në shenjë proteste pas miratimit, grisën kopjet e tekstit të diskutueshëm. Në kulmin e tensioneve të larta, rojet e sigurisë nxorrën nga salla deputetët arabë.

Nga ana tjetër, deputetët hebrenj të cilët votuan për miratimin e draftit, festuan duke u fotografuar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili është protagonisti kryesor i këtij akti.

Po ashtu edhe presidenti izraelit, Reuven Rivlin, ka kritikuar më parë planin e diskutueshëm që injoron të gjitha të drejtat e gati 2 milionë palestinezëve të cilët janë shtetas të izraelit ndërsa hebrenjtë i vendos në pozitë të privilegjuar të qytetarëve të rendit të parë.

Rivlin përmes një letre drejtuar deputetëve theksoi se projekt-ligji mund të ofendojë hebrenjtë që jetojnë në vende të tjera dhe se Izraeli mund të bëhet objekt i sulmeve të ashpra për shkak të diskriminimit të popullatës jo-hebreje. Ai kërkoi rishikimin e dispozitave të diskutueshme të projekt-ligjit, i cili u refuzua në parlament nga partia në pushet, raporton ‘AA’.

Pasi që Izraeli nuk ka kushtetutë klasike, por ligje bazike të cilat janë aktet më të larta të vendit, projekt-ligji i miratuar do të përfshihet në të dhe Izraeli do të përcaktohet si shtet-komb i të gjithë hebrenjve.

Kështu, gjuha arabe do të humbasë statusin e gjuhës zyrtare, të cilin ekskluzivisht do ta ketë gjuha hebreje. Festat hebreje u shpallën si festa shtetërore, ndërsa Jeruzalemi si kryeqytet i Izraelit.

Shumica e dispozitave të draftit të ri janë në kundërshtim me dispozitat ekzistuese, sipas së cilës në Izrael të gjithë qytetarët kanë të drejta dhe mundësi të barabarta.

Shpallja e Izraelit si atdheu i të gjithë hebrenjve gjithashtu mohon të drejtat e palestinezëve për tokën e tyre të pushtuar.

Gjithashtu inkurajohen hebrenjtë nga vendet tjera që të vendosen në Izrael, ndërsa pamundësohet kthimi i palestinezëve të dëbuar.