“Jam drithëruar fort”, Rama emocionohet nga gjesti i italianit pas dërgimit të 30 mjekëve nga Shqipëria

Dërgimi i 30 mjekëve nga Shqipëria në ndihmë të Italisë në këto ditë të vështira lufte me Covid-19 është komentuar gjerësisht dy ditët e fundit.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë mëngjes një video të një qytetari italian, i cili interpreton nga ballkoni për nder të Shqipërisë himin tonë kombëtar.

“Kam marrë me shumë kënaqësi e kthyer me po aq përunjësi falenderime, mijëra mesazhe nga Italia, që nga kryeministri, ministra e lider partish, senatorë, deputetë, tek njerëz të kulturës e të sportit dhe njerëz të panjohur, që kalonin sms e tyre përmes shqiptarësh në Itali, të cilët edhe ata më kanë shkruar pafund nga ana e tyre…

Por, kur më erdhi dorë pas dore mbrëmë vonë, kjo video e bërë në ballkon nga një qytetar italian, jam drithëruar fort dhe në pamundësi për t’ia dhënë dot drejtëpërdrejtë, falenderimin e thellë që meriton ky njeri i panjohur, jam i bindur se të gjithë ju, do të bashkoheni me mua, duke e ndarë me të tjerë këtë perlë të rrallë, derisa do Zoti i mbërrin në dorë me një #GRAZIEdiCUOREdalALBANIA, dikujt që e njeh këtë zotëri fisnik”, shkruan Rama në FB.