Flash News
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Alfred Lela
Dy raste kanë spikatur në debatet e ndezura të javës së fundit në komisionet parlamentare. Jo aq për trimërinë, apo për ndonjë mendim të iluminuar në legjislacion apo shtetbërje (edhe pse, në ato qëndrime dallohej fort rezistenca opozitare), por sidomos për vetminë.
Po, dy deputetë të rinj të Partisë Demokratike, duhet të jenë ndjerë të vetmuar. Kjo, jo aq prej braktisjes së forcës që ata përfaqësojnë, sesa prej kolegëve që kanë patur në krah, përfaqësues të së njëjtës sigël.
E kam fjalën për Ervin Salianjin dhe Agron Shehajn.
Të dy janë deputetë rishtarë dhe futen në parlament me njëfarë spikame, që është personale e tyrja. Deputeti i Korçës vjen nga një ushtrim i gjatë politik në radhët e Partisë Demokratike, duke filluar që nga fëmijëria. Deputeti i Vlorës është një sipërmarrës me një histori suksesi të certifikuar tashmë, dhe rrjedh nga një familje e djathtë nacionaliste vlonjate, e persekutuar gjatë regjimit komunist.
Të dy kanë qenë ndër më aktivët në grupin e deputetëve të rinj, gjë është vënë re edhe gjatë komisioneve parlamentare, ku kanë ndërhyrë pothuajse në të gjitha mbledhjet. Sigurisht, duke qenë të rinj dhe ambiciozë, ata janë edhe në kërkim të një roli, i cili mendojnë se u takon në hapësirën e re që është për ta grupi demokrat dhe parlamentarizmi në përgjithësi.
Kryetari i partisë, Basha, ka ditur t'i pozicionojë mirë, edhe në përputhje me tipologjitë e tyre, Shehajn te Komisioni i Ekonomisë dhe Salianjin te Komisioni i Sigurisë. Të parin për shkak të arsimimit dhe të profesionit, që është sipërmarrja dhe kreativiteti në biznes. Të dytin, mendoj, edhe për shkak të natyrës luftarake, ajo që mund të quhet 'natyrë policeske' apo 'prokuroriale'.
Ata i kanë interpretuar mirë rolet e tyre, dhe kjo mund të kishte qenë edhe më lehtë e dukshme nëse zërat e tyre do të inkuadroheshin në koncertin opozitar. Por, nuk ka ndodhur kështu. Shehaj dhe Salianji kanë luajtur solo. Po të shihen materialet filmike, në të gjitha rastet kur ata janë përfshirë në debate apo përplasje, kuptohet qartë se janë lënë vetëm.
Jorida Tabaku, që kryeson demokratët në Komisionin e Ekonomisë si nënkryetare, ka qenë indiferente sa herë Shehaj është përfshirë në debat. Edhe kur përplasjet i kanë kapërcyer kufijtë etikë, siç ishte rasti i gërmushjes ciklopike të Anasatas Angjelit. Tabaku, duket se ndjehet më rehat me kundërshtarët e vjetër, se sa me partnerët e rinj.
Flamur Noka, që për Sali Berishën të ha mëlçinë, kur Ndreu dhe Sterkaj po 'e shqyenin' Salianjin, nuk duket se ka lëshuar më shumë se dy murmurima. Sigurisht, Doktori dhe deputeti i ri i Korçës kanë të përbashkët vetëm nga pak 'Sali', njëri në emër e tjetri në mbiemër, por demokrat mbetet edhe ai, gjithsesi.
Është një pyetje që duhet bërë: a janë vetëm deputetët e rinj të PD?