Flash News

KRYESORE

Java e protestës së opozitës, Rama largohet katër ditë nga Tirana, kthehet më 27 janar

Java e protestës së opozitës, Rama largohet katër ditë

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nuk do të jenë të pranishëm në Tiranë gjatë javës së ardhshme kur opozita do të bëjë përgatitjet e fundit për protestën e 27 janarit dhe do të synojë të ashpërsojë aksionin saj politik për të tërhequr sa më shumë njerëz në shesh.

Rama dhe Bushati pritet të nisën që të hënën e 22 janarit drejt qytetit të Davosit, në Zvicër, ku do të zhvillohet ‘Super-Forumi’ Ekonomik. Ata parashikohet të kthehen në Tiranë mbrëmjen e së premtes ose mëngjesin e së shtunës, më 27 janar, kur qytetarët të kenë mbushur bulevardin përpara Kryeministrisë.

Për herë të parë në këtë forum, nga data 23 deri më 26 janar, do të marrin pjesë 340 lider dhe drejtues organizatash nga e gjithë bota, çka paralajmëron për lajme të shumta që do të prodhohen në Zvicër gjatë javës së ardhshme.

Në fakt, forumi ka filluar të prodhojë lajme që pa nisur ende, siç është refuzimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u takuar me kryeministren britanike, Theresa May, ndërkohë që ka parashikuar të takohet me homologun francez, Emmanuel Macron. Përflitet edhe për një takim Trump-Merkel, por kancelarja gjermane nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen në forum.

Një tjetër ngjarje me rëndësi për rajonin tonë është takimi i parashikuar midis kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, nga i cili pritet të mësohet nëse Shkupi dhe Athina e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për emrin e ri të Maqedonisë.

Sa i përket takimeve të Ramës dhe Bushatit në Davos, Kryeministria nuk ka dhënë ende asnjë detaj.

Disa nga pjesëmarrësit në forum:

Pjesëmarrës do të jenë Donald Trump (SHBA); Theresa May (Britani); Emmanuel Macron (Francë); Paolo Gentilioni (Itali); Narendra Modi (Indi); Jean-Claude Juncker (BE); Justin Trudeau (Kanada); Mauricio Macri (Argjentina); Michel Temer (Brazil); Mbreti Felipe VI (Spanjë); Aleksis Tsipras (Greqi); Mbreti Abdullah II Ibn Al Hussein (Jordani); Benjamin Netanyahu (Izrael); Emmerson Mnangagwa (Zimbabve); Juan Manuel Santos (Kolumbi); Dusko Markovic (Mali i Zi); Hashim Thaçi (Kosovë); Zoran Zaev (Maqedoni); Aleksandar Vuçiç (Serbi); Stefan Löfven (Suedi); Andrzej Duda (Poloni); Mark Rutte (Holandë); Andrej Plenkovic (Kroaci); Petro Poroshenko (Ukrainë), etj.

Të fundit